fbpx

Shkatërrohet banda e drogës, arrestohen 15 persona, mes tyre edhe 3 shqiptarë

Karabinierët në Itali, në zonën e Bergamos kanë shkatërruar një grup kriminal të trafikut të drogës të llojit heroinë. Pjesë e grupimit ishin shqiptarë, por edhe italianë e afrikanë.

Mëngjesin e kësaj të hëne, policia italiane, në bashkëpunim me Interpolin, por edhe policinë shqiptare, në koordinim me Karabinierinë në Bergamo, Milano dhe Bolzano, kanë kryer operacionin për arrestimin e 15 personave, kryesisht italianë, shqiptarë dhe nga Afrika e Veriut, të cilët ishin pjesë e një hetimi të kryer nga Njësia hetimore e qytetit Orobic.

Këtë mëngjes janë vendosur në pranga 15 vetë, 3 prej të cilëve në Shqipëri. Përveç kësaj, një burrë u gjet në provincën e Bolzano, një në territorin e Sesto San Giovanni, ndërsa të tjerët u gjurmuan të gjithë në zonën e Bergamos së Poshtme. Ky është vazhdim i operacionit “Romano 2017”, ku u zbulua më herët një grup kriminal në tregti droge të llojit kokainë.

Policia italiane ka gjetur sasi të mëdha droge, si dhe ka kapur edhe 300 mijë euro të gatshme, të cilat dyshohet se janë produkt i veprimtarisë kriminale. Grupi kishte përdorur edhe makina të shtrenjta me targa të huaja, holandeze e gjermane. Vlerësohet se grupi ka xhiruar 6 deri 7 milionë euro nga kjo veprimtari kriminale.