Shkelja e marrëveshjes bërthamore/ NATO bie dakord për masa mbrojtëse ndaj Rusisë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka deklaruar se shefat e mbrojtjes së vendeve anëtare të aleancës janë pajtuar të ndërmarrin “masa mbrojtëse” kundër “shkeljes” së Rusisë të Traktatit të Forcave Bërthamore të Ndërmjetme (INF).

“Ne kemi qëndruar të bashkuar lidhur me shkeljen e traktatit nga Rusia”, tha Stoltenberg në ditën e dytë të takimit të ministrave të mbrojtjes së NATO-s në Bruksel.

“Por  NATO nuk ka për qëllim të “pasqyrojë atë që bën Rusia duke vendosur raketa me bazë tokësore në Evropë, sepse një garë e re e armëve do të ishte e rrezikshme dhe e shtrenjtë”- shtoi Stoltenberg.

E nënshkruar në vitin 1987, marrëveshja INF u konsiderua gjerësisht si një gur themeli i sigurisë evropiane në epokën e pas Luftës së Ftohtë. Ajo ndaloi që vendet të zotërojnë dhe testojnë raketa tokësore me rreze veprimi nga 480 deri në 5.000 kilometra.

Në tetor të vitit 2018, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi tërheqjen nga marrëveshja duke akuzuar Moskën për shkeljen e saj.

Në kundërpërgjigje, më 3 korrik të vitit 2019, presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi një projektligj për pezullimin e detyrimeve të Moskës në bazë të marrëveshjes INF.

Stoltenberg tha se aleanca ushtarake evropiane është e gatshme të zhvillojë aftësitë e saj konvencionale dhe sistemet raketore të mbrojtjes ajrore, si dhe të rivendosë një regjim efektiv të kontrollit të armëve.

Zyrtarët po ashtu diskutuan angazhimin e aleatëve për ndarjen e drejtë të shpenzimeve në mbrojtje.