Shkolla në Surrel, Rama elozhe punës së Veliajt: Si kudo ku vë dorë Lali Eri…

Përveç rikonstruksionit të rrugës, banorët e zonës së Surrelit në Tiranë kanë edhe një shkollë e kopësht të ri.  Bashkia e Tiranës ka rikonstruktuar shkollën e mesme “Ymer Lala” në Surrel, ku mësojnë rreth 300 nxënës, ndërsa bashkëngjitur saj ka edhe një kopsht për më të vegjlit.
Në përfundimin punimeve ishte sot Kryeministri Edi Rama, i cili nuk i kurseu vlerësimet e tij për punën e bërë nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Më vjen shumë mirë që sot ka përfunduar ky projekt sepse shkolla ka qenë vërtet në një gjendje të keqe. Drejtori po më thoshte se nuk është investuar që nga viti 1969. E rëndësishme është që gjithçka është bërë me shumë përkushtim dhe cilësi, si kudo ku vë dorë Lali Eri, dhe përpiqet që jo vetëm për t’u krijojë kushte optimale atyre që vijnë në shkollë, por edhe për t’u dhënë shpresë dhe optimizëm atyre që presin që t’ju vijë radha, sepse gjërat bëhen me radhë dhe përpiqemi t’i shfrytëzojmë maksimalisht mundësitë”, theksoi Rama.
Shkolla e mesme e bashkuar ka 6 klasa me rreth 112 nxënës, shkolla 9-vjeçare 160 nxënës dhe kopshti 31 fëmijë. Rikonstruksioni përfshiu rifiniturat e brendshme e të jashtme, nyjet sanitare, ndërtimin e mjediseve shtesë në funksion të shkollës, punime në sistemimin e jashtëm si dhe sistem qendror ngrohje.