Shkon në 1900 numri i vdekjeve nga koronavirusi

Zyrtarët kinezë të shëndetësisë raportuan të martën se numri i rasteve të konfirmuara të koronavirusit e ka tejkaluar shifrën 72,000 ndërsa numri i të vdekurve ka arritur në rreth 1,900.

Përditësimi i fundit përfshin 98 vdekje të tjera dhe 1.886 raste të reja të virusit që ka tensionuar sistemin e kujdesit shëndetësor të Kinës dhe ka bërë që autoritetet të vendosin zona të tëra në karantinë, në përpjekje për të ndalur përhapjen e tij.

Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetit, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se të dhënat kineze nga ditët e fundit duket se tregojnë për një rënie të rasteve të reja.

Ghebreyesus gjithashtu tha se më shumë se 80% e pacientëve “kanë sëmundje të lehtë dhe do të shërohen”.

Megjithatë ai paralajmëroi për kujdes pasi prirjet mund të ndryshojnë kur infektohen segmente të reja të popullsisë.