Shkrumbimi i pyjeve në Amazonë, OKB plas alarmin: Nuk mund të…

Sipas aktivistes dhe ekologjistes braziliane, Marina Silvas, zjarret në Amazonë tashmë janë krejtësisht jashtë kontrollit duke shkrumbuar sipërfaqe gjigante pyjore.

Ish-kandidatja për zgjedhjet presidenciale Marina Silva, ka akuzuar qeverinë e ekstremit të djathtë të presidentit Jair Bolsonaro se ka lejuar përshkallëzimin e djegies së Amazonës gjë që prek  ekosistemin jetësor pë të gjithër planetin.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres shprehu shqetësimin e tij për zjarret në Amazonë.

‘Në mes të krizës klimatike botërore, ne nuk mund të pranojmë më shumë dëme për një burim të madh oksigjeni dhe biodiversiteti’, theksoi Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Antonio Guterres.

Studiuesit dhe ekologjistët kanë kundërshtuar argumentin e qeverisë së presidentit të ekstremit të djathtë, Jair Bolsonaros, i cili mbështet idenë se numri i zjarreve të rëna në Amazonë është i zakonshëm në këtë periudhë të vitit për shkak të thatësirës.

Ndërkohë zjarret në pyjet e Amazonës janë intensive dhe tymi ka mbuluar qytete që gjenden edhe mijëra kilometra larg xhunglës më të madhe në botë. Këto zjarre, raportohet se janë aq të mëdha sa që mund të shihen edhe nga hapësira me satelit.

Ekspertët janë shprehur se e gjithë kjo mund të ketë pasoja të rënda te klima, ndërkohë që presidenti brazilian, Jair Bolsonaro ka fajësuar organizatat joqeveritare për nisjen e flakëve.

Bolsonaro është kritikuar vazhdimisht se nuk ka mbrojtur Amazonën dhe se ka promovuar një politikë shpyllëzimi, pro bizneseve.