fbpx

Shpërthejnë protestat e dhunshme në Itali, kush qëndron pas përplasjeve

Protesta të dhunshme shpërthyen në më shumë se 15 qytete italiane pasi qeveria njoftoi masa të reja për të frenuar një valë të dytë të infeksioneve me COVID-19. Udhëheqësit italianë po nxitojnë të shmangin kritikat duke u munduar të miratojnë një paketë shpëtimi financiar për bizneset në vështirësi.

Protestuesit e zemëruar dolën në rrugët e disa prej qyteteve më të mëdha të vendit, por edhe ato më të vogla, nga veriu në jug të Italisë, për të treguar pakënaqësinë e tyre me kufizimet e reja për COVID-19.

Kryeministri Giuseppe Conte u tha italianëve se ishte shumë i vetëdijshëm se “ky është një moment kompleks pasi kjo është një pandemi që po na sfidon ashpër, duke shkaktuar zemërim, zhgënjim dhe pabarazi të reja. I vetëdijshëm për sa biznese po vuajnë, zoti Conte tha se qeveria kishte hartuar një plan.

Ai tha se do të kompensohen të gjithë ata që do të vuajnë nën kufizimet e reja. Zyrtarët e qeverisë shpresojnë që masat të jenë të mjaftueshme për të shuar zemërimin.

Italianët ishin të parët që u përballën me një shpërthim të gjerë të virusit në fillim të këtij viti dhe u goditën me disa nga masat izoluese më të vështira në botë, që sollën një dëm serioz për ekonominë e vendit.

Në atë kohë, italianët respektuan rregullat e qeverisë dhe arritën të frenonin virusin deri në verë. Këtë herë, reagimet nuk ishin të matura dhe u duk se jo të gjithë në vend ishin të gatshëm t’u përmbahen udhëzimeve dhe rregullave të reja të qeverisë. Grupet e ekstremit të djathtë dhe krimi i organizuar gjithashtu duket se qëndrojnë pas përplasjeve të fundit.

Në qytete si Torino, Milano, Napoli dhe Romë, qindra protestues shkatërruan dyqanet, vandalizuan tramvajet dhe u vunë zjarrin koshave të plehrave. Grupe të rinjsh hodhën shishe qelqi dhe brohorisnin.

Shumë politikanë të opozitës dhe madje disa anëtarë të parlamentit të koalicionit qeverisës shprehën mosmiratimin e tyre ndaj masave të reja të ashpra duke thënë se ekonomia tashmë e goditur nuk do të ishte në gjendje të përballonte këto masa. Udhëheqësi i ekstremit të djathtë Matteo Salvini njoftoi se po niste një sfidë ligjore ndaj vendimeve të qeverisë.

Pronarët e bizneseve janë të dëshpëruar duke thënë se disa do të duhet të mbyllen përgjithmonë. Por disa shkencëtarë thonë se masat e miratuara deri më 24 nëntor nuk janë ende të mjaftueshme dhe se shtretërit në njësitë e kujdesit intensiv të spitaleve po mbushen shpejt.

Të martën pritet të miratohet një paketë deri në 6 miliardë dollarë për të mbështetur bizneset në sektorët e restoranteve, sporteve dhe argëtimit, të cilët u goditën rëndë nga kufizimet e reja./VOA