Shpëtimi i Alvini/ Mediat italiane ‘masakrojnë’ Ramën: Operacioni u ndërmorr nga ne…

11-vjeçari Alvin Berisha ka nisur rrugëtimin e tij të sigurt në drejtim të shtëpisë së tij, në Itali, ku do të bashkohet me babanë dhe motrat, për të lënë pas krahëve makthin 5 vjeçar në kampet e ISIS, ndërsa dy vite jetoi dhe pa nënën e tij, e cila u vra gjatë një sulmi.

Historia e tij tronditi shqiptarët, por më shumë se kurrë vuri në punë autoritetet italiane, për të bërë të mundur kthimin e tij në Romë, prej nga ishte rrëmbyer nga e ëma.

Nëse në fillim të publikimit të rastit nga Le Iene, qeveria shqiptare do ta bënte pothuaje të pamundur kthimin e tij, presioni i jashtëzakonshëm mediatik, edhe përtej kufirit bëri që të kishte një moment reflektimi.

Teksa fillimisht ambasadori shqiptar në Turqi, Gent Gazheli do t’i mbyllte telefonin ekipit të medias italiane, me insistimin e fortë të tyre, çështja nuk mund të mbetej më në dorën e vetëm një punonjësi të shërbimit diplomatik.

Puna mes dy shteteve, nisi pas një vizite të kryeministrit shqiptar Edi Rama në Itali, ku më shumë sesa ai, ishte kryeministri Conte ai që këmbënguli për operacionin e kthimit të Alvinit.

Në terren për mbështetjen e këtij operacioni ka qenë dhe ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, mirëpo mediat italiane këmbëngulin se i gjithë aksioni është drejtuar nga një skuadër speciale e Ros të Milanos.

“Një operacion aspak i lehtë. Kjo në shumë aspekte. Për të tërhequr këtë fëmijë (Alvin Berishën) është krijuar një korridor special humanitar, në territorin kurd, atë sirian, më pas fëmija është dërguar në Liban dhe do të sillet në Itali, gjatë një periudhe me vështirësi të mëdha në të gjithë zonën.

Fëmijë në këtë kamp, (që mikëpret 70 mijë njerëz) janë diçka më shumë se 40 mijë. Dhe mes tyre ishte edhe Alvin, djali i një luftëtareje, i konsideruar edhe si ‘fëmija’ i ISIS. Edhe për këto arsye, ka pasur frikë deri në fund, se ndonjëri nga korridoret e krijuara për kalimin e tij, mund të mos shkonte siç ishte parashikuar.

Operacioni është ideuar dhe zhvilluar në terren nga një skuadër speciale e Ros të Milanos. Alvin Berisha, pas pak ditësh do të dëgjohet në një seancë speciale të mbyllur, për të parë nëse do të ofrojë ndonjë informacion në lidhje me aktivitetin e terroristëgve në Siri dhe vdekjen e nënës së tij.

Edhe pse Alvini është qytetar shqiptar, gjithçka është planifikuar dhe zhvilluar nga autoritetet italiane për arsyen se, ai është rrëmbyer nga nëna e tij në terroritorin italian, duke përfshirë edhe faktin se ai është lindur dhe rritur po në Itali”, theksojnë mediat italiane.

Indiciet se kthimi i Alvinit po përdoret për propagandë nga ana e qeverisë shqiptare, i ka dhënë dhe këshilltari i presidentit Meta për çështjet e sigurisë, Ilir Kulla.

“Alvini është i lirë, tani shijoni propagandën”, ky do të ishte një postim i tij thumbues në Facebook, ndërsa ai kishte qenë i pari që kishte publikuar foton e Alvinit të lirë.

Ndërkohë nuk kanë munguar as komentet nga mediat egjiptiane, të cilat kanë shkruar se operacioni për shpëtimin e Alvinit është ndjekur nga afër dhe nga presidenti Ilir Meta.

Por përtej meritave, vlen të theksojmë se Alvini nuk është fëmija i vetëm shqiptar që gjendet në kampet e ISIS. Dyshohet se janë më shumë se 30 fëmijë që presin ndërhyrjen e shtetit shqiptar, që duket se kujtohet vetëm kur ndizen dritat e kamerave dhe mediave.

Padyshim që një meritë të madhe për shpëtimin e Alvinit e ka dhe gazetari shqiptar Taulant Kopliku dhe ekipi i Le Iene, pa të cilët lotët e Afrim Berishës do të shkonin dëm, dhe fati i 11 vjeçarit do të mbetej i gjithi një mister.