Shpirt-djegurat e Shqipërisë

Pse, mendoni ju që andej në ato nahije, nuk ka ndodhur ndonjëherë ndonjë kallëzim? Po, po ka ndodhur. Madje e morën atë zotërinë, e mbajtën në komisariat një natë, të nesërmen e nxorën. Po thoni ju a doli pastaj nga shtëpia ajo zonja? Të kishte guxim të dilte, e jo më të shkonte në komisariat. Kush do e mbronte?

Rasti Xhisiela, fenomeni që bëri kaq shumë bujë në Shqipëri dhe që çuditërisht tronditi mbarë opinionin publik, është një fenomen i cili ka folur në heshtje këtu e vite më parë.

Sa raste të tilla ka në Tiranë? Sa raste të tilla ka në shumë qytete të tjera të Shqipërisë? Sa raste të tilla ka nëpër fshatrat e thella të këtij vendi? A dihet një numër i saktë i femrave të dhunuara në Shqipëri? Kush i mbron këto femra? A kemi ne një institucion, që t’i dedikohet vetëm kësaj bashkësie?  Po shoqatat, të cilat marrin fonde për këtë kauzë, a funksionojnë? Çfarë lloj mbrojtjeje dhe ndihme ju sigurojnë atyre? Çfarë ndodh më vonë me këto femra?

Këto pyetje më mundojnë gjatë gjithë kohës, që në momentin e parë që kam dëgjuar për rastin “Xhisiela”. Më rrinë çengel në kokë dhe akoma nuk kam gjetur një përgjigje që mund t’ia jap vetes dhe as juve.

Xhisiela pati kurajon të bënte një kallëzim, i cili disa herë iu refuzua, por që më në fund iu pranua nga dikush, i cili pas pranimit, u zhduk. Rasti u bë publik duke rrezikuar kështu jetën e shumë personave.  Po pse? Ngaqë në rastin e Xhisielës dhunuesi, është djali i një të forti, i cili të merr edhe shpirtin nëse i bën një kallëzim kundra. Gjë që ai e vërtetoi aq qartë, sepse Xhisielën e bëri të flasë me vete. E bëri të nxjerrë çmenduri nga goja, e bëri një viktimë aq antipatike. E krijoi si një person të ri, të cilin mund ta përdorte si një makinetë të tijën.

Por unë nuk dua t’i kushtoj më kohë rastit “Xhisiela”, pasi guximi i saj ishte një fije shkrepëseje, që u fik shumë shpejt, ku hiri i së cilës u zhduk me një të erë të lehtë.

Dua të merrem me këto gratë e tjera të cilat dhunohen sistematikisht, e që nuk kanë as guximin më të vogël që ta denoncojnë këtë gjë, qoftë edhe për xhelozi, edhe pse bashkëshortët e tyre nuk janë as deputetë, as djem deputetësh, janë njerëz të thjeshtë. E durojnë dhunën që ushtrohet mbi to, pasi kanë të ngulitur në kokë mentalitetin që familja është më e rëndësishmja e ajo duhet mbajtur e bashkuar pavarësisht çdo gjëje. Le të durohet dhuna (psikologjike, apo fizike qoftë ajo), përdhunimi, apo çdo formë tjetër torture kafshërore, por familja duhet të mbrohet me çdo çmim, edhe me shpirtin e tyre.

Me këto femra dua të merrem, pasi ata ndoshta duan të flasin, por nuk kanë ku të flasin. Po e lë pak në një anë metropolin Tiranë.

Le të sjellim në vëmendje këto qytetet, në të cilat shkohet vetëm kur kërkohet vota. Në këto qytete, a ka qendra sociale? Jo. Ua them unë, sepse e di. Kam qenë në 90 % të Shqipërisë, dhe në ato zona nuk ka një qendër sociale, që të mbledhë të gjitha gratë e të diskutojnë rreth problemeve të tyre të përditshme, qoftë edhe një herë në muaj. Nuk po flas për fshatra, sepse atje zëre se nuk ka njerëz fare, por të paktën të ketë një pikë në qytet. As aty asgjë. Ka më shumë vende ku shitën mend, se sa vende ku blihen.

Po komisariatet a kanë psikologe? Jo. Në asnjë komisariat nuk ka ndonjë psikologe. Ndoshta si emër në bord mund të ekzistojë, por si person fizik jo. Le të shtojmë këtu edhe dozën e mentalitetit dhe të kulturës.

Po marr këtu rastet e disa zonave të thella, ku nuk shkon kamera e mediave, madje as këmbët e deputetëve, të cilët janë aq të etur për votat e tyre.  Në këto ngastra të harruara vazhdon të jetë me mentaliteti i shumë kohëve më parë. Vazhdon të jetojë njësh me traditat dhe zakonet e shqiptarëve prej vitesh. Si mendoni ju, se një grua e këtyre zonave mund të shkojë në komisariat dhe të flasë me një burrë për dhunën që i shoqi (burrë dhe ky) ushtron mbi të? Nuk mund ta bëjë kurrë edhe nëse do e marrë guximin të bënte ndonjë denoncim.

E para, nuk e bën se i duhet të udhëtojë shumë për të arritur te komisariati, i cili ndodhet shumë larg fshatit të saj. Me të shoqin nuk shkon dot, sepse kallëzimin po e bën për të, e nuk mund ta bëjë me të. Me njerëz të panjohur nuk hipën dot në makinë, se po e pa njeri do ia drejtojnë gishtin si një e përdalë. Kështu që do të detyrohet të ecë në këmbë ndoshta për më shumë se një orë, e kështu e lë fare.

E dyta, edhe sikur ta marrë përsipër të ecë aq shumë, nuk e bën, se këto qytete janë shumë të vogla dhe njerëzit njihen me njëri- tjetrin. Është ajo frika, që oficeri i cili do marrë kallëzimin mund të rastisë shok i burrit, të cilin ti nuk e njeh, pasi në ato vende gratë nuk i njohin shokët e burrave. Dhe ky shoku mund t’i tregojë bashkëshortit tënd:

– Dëgjo, të ka ardhur gruaja sot në komisariat dhe bëri një denoncim, që ti ushtron dhunë ndaj saj.

–  Dhe ky që ia kthen:- Ouuu seriozisht?! Hajt se ia rregulloj unë asaj, se nuk merr vesh ajo me dy shpulla.  Ja kaq, dhe dhuna do vazhdojë të jetë po aty.

E treta, nuk e bën, se do e marrë vesh lagja që në shtëpinë e tyre ka edhe një pjesëtar plus vec pjesëtarëve të familjes, dhuna. Po e morri vesh komshia, e merr vesh lagja, pastaj e merr vesh gjithë fshati, derisa e merr vesh e gjithë zona. Dhe po ndodhi kjo, është shumë gjë e rëndë, pasi ata nuk do i ftojnë më as nëpër dasma, as nëpër vaki, sepse tashmë do i shohin me syrin përçmues, sidomos gruan. Për burrin do thonë “i lumtë, se kushedi çfarë ka bërë ajo”, kështu funksionon mendja e tyre, pavarësisht se dhunën nuk e justifikon asgjë, absolutisht asgjë, por… Turpin e ha femra.

Pse, mendoni ju që andej në ato nahije, nuk ka ndodhur ndonjëherë ndonjë kallëzim? Po, po ka ndodhur. Madje e morën atë zotërinë, e mbajtën në komisariat një natë, të nesërmen e nxorën. Po thoni ju a doli pastaj nga shtëpia ajo zonja? Të kishte guxim të dilte, e jo më të shkonte në komisariat. Kush do e mbronte?

Ja pra, kjo pjesa e mbrojtjes, nuk të lë që të besh një denoncim, e të durosh dhunën mbi shpinë.

 

Lër një koment