Shpjegimi i Hajdarit për grushtin e shtetit nuk ka për t’i pëlqyer Ilir Metës

Deputetja e opozitës parlamentare, Rudina Hajdari, e quan teori konspiracioni shqetësimin e presidentit Ilir Meta se shumica po kryen grusht shteti në Shqipëri. Më 2 mars, kreu i shtetit ka bërë thirrje për tubim për të mbrojtur Kushtetutën e vendit, por sipas Hajdarit, si presidenti Ilir Meta që e thërret, si lideri demokrat Lulzim Basha që e mbështet apo edhe kryeministri Edi Rama që është përballë tyre, e kanë shkelur kushtetutën në këto 29 vite, e kanë të njëjtën sjellje politike.

“Mendoj se Kushtetuta është tepër e shenjtë, dhe nuk ka më të shenjtë se Kushtetuta, është më e shtrenjta që ne kemi, si nga personi që e thërret atë protestë, e ka shkelur atë Kushtetutë më parë, si nga ai person që e mbështet, edhe ai ndoshta mund ta ketë shkelur atë Kushtetutë, edhe atë që kanë përballë dhe e akuzojnë, e ka shkelur atë Kushtetutë. Personat që e kanë bërë këtë kushtetutë leckë, janë ata që e kanë shkelur.

Shqiptarët nuk i besojnë më. Grusht shteti? Unë nuk merrem me konspiracione, nuk merrem me teori, nuk hyj fare në këto teza. Njerëzit i kanë parë, i njohin mirë kush janë. Dakord jam të mbrojmë kushtetutën, por kam frikë se kjo protestë që mbështetet nga ata persona që e kanë shkelur protestën, është e vështirë të them që njerëzit do të dalin në shesh”, tha Hajdari në Report Tv.