Shqipëria e bukur dhe e varfër

fotoja-lajmit.jpg

Jemi një nga vendet e vetme në botë, me të cilin natyra është treguar shumë dorëlëshuar. Na ka dhënë 3 lloje të turizimit, si rrallë vende. Kemi turizmin e bardhë (siç njihet ndryshe turizmi malor); turizmin e gjelbërt (turizmi fushor); turizmin blu (gjithë vija bregdetare që nga Shkodra deri Sarandë). Kjo e mirë na ka ardhur edhe nga fakti, që pozita jonë gjeografike na favorizon që të kemi 4 stinë. Duke qenë kështu, është e mundur që këto lloje turizmi të jetojnë me ne.

Por sa ia dimë vlerën?

Këtu nis edhe kalvari i gjithë fatkeqësisë, që kemi ne si popull. Është njëlloj si të kesh të gjithë ingredientët e ushqimit e të mos bësh një gjellë të mirë, por të përfundosh duke e hedhur. Të gjithë këto pasuri natyrore nuk janë aspak të shfrytëzuara ashtu siç duhet.

Vendi jonë ka malet më të bukura në të gjithë Ballkanin, madje kemi edhe atë më të lartin, Korabin, por sa i njohur është për të huajt? Pothuajse fare. Në një kohë që të huajtë (turistë) janë ata, që rrisin ekonominë e një vendi, pai janë të ardhura shtesë pa asnjë lloj kostoje, ata nuk janë të njohur me atë së cfarë jeton në një vend si i joni. Por edhe nëse janë, a është kujdesur dikush, që të hapë një rrugë e cila të të ngjisë, qoftë edhe deri te stanet që ndodhen në Korab? (stanet janë shtëpiza të vogla prej druri, të cilat i kanë ndërtuar banorë të zonave përreth). Po thoja, si mund të shkojë një turist deri në atë zonë e të sodisë atë bukuri? Asnjë investim.

Po kaloj në Theth e në Valbonë. Pjesë tjetër nga mrekullia natyrore e këtij vendi të bekuar. Të ngjason me një ngastër parajse që është tokësuar pranë nesh. Sa me fat duhet të jemi! Po për këto dy vende a është përhapur ndonjë lajm që ekzistojnë? Përvec lajmit që u vranë dy turistë? Sepse atje edhe mund të vritesh, ngaqë investimi është zero. Akoma në periudhën e luftës për mbijetesë. Duhen investime serioze, që të mos tremben as ata që jetojnë në ato zona. Më ka ndodhur të flas me një banor të asaj zone dhe m’u shpreh që ishte i frikësuar.

-Pse je i frikësuar e pyeta unë?

-Po ja.., tha, këtë vit këtu në Theth kanë filluar të vijnë njerëz dhe kemi frikë, që nëse do bëhet shumë e njohur si zonë, do vijnë të na e shkatërrojnë. Do fillojnë të privatizojnë sa të munden, duke ngritur bizneset e tyre dhe ne do mbetemi me gisht në gojë. Por më shumë nuk duam që të na shkojë për dreq ky vend… u shpreh personi dhe uli kokën i mërzitur.

Njëlloj edhe për lumin e Shalës, të cilin më pëlqen ta quaj Tajlanda e Shqipërisë. Perlë! Por mos e vizitoni! Do bëni foto, do e hidhni në rrjete sociale? Pa dashur këto foto mund të shkojnë në gojën e ujkut e nesër pasnesër nuk është çudi nëse aty shikon një hotel 10 katësh, apo ndonjë kullë.

Ja kjo nuk duhet të ndodhë me sarajet e këtij vendi. Duhet investim që të soditet kjo natyrë, e jo të shkatërohet. Edhe nga soditja mund të fitohet.

Turizmi blu, ai i famshmi. Cfarë mrekullie të kesh këtë det që kemi ne. Veriu me rërën që të shëron trupin dhe jugu me ujin që të pastron trupin. E magjishme!

Nuk jam entuziaste për këtë gjë. Fare! Sepse i gjithë ai det nuk është më i joni. I privatizuar nga fillimi deri në fund. I zaptuar nga persona, që e përdorin për interesa personale, duke e tjetërsuar e duke e bërë thuajse të panjohur më. Ndërtime deri në breg, deri aty ku vijnë dallgët. Cmime që të therrin shpirtin. Kush e merr vesh ku kanë jetuar këta që e kanë privatizuar!!!

Nejse, po siguria? A ka masa sigurie përgjatë gjithë bregdetit? Hahaha as në breg jo, jo më po u fute më tutje. Nuk ka asnjë roje bregdetare, por edhe nëse janë ekzistojnë si emra, ndërkohë që ata janë të parashikuara edhe në vendimin e Këshillit të Ministrave. Vetëm sezonin që kaloi, që nga 1 qershori e deri më 20 korrik, ka pasur gati dy viktima në ditë, të cilët janë mbytur në det. Viktimat janë mbytur 10m larg nga bregu. Llogaritë bëjini vetë sa i takon për gjithë periudhën! Po nëse do kishte pasur një roje bregdetare, a thua do ishin kaq të frikshme shifrat?! Unë nuk besoj, por ju si ta gjykoni!

Nuk ka asnjë sinjal detar i cili tregon, që deri këtu, apo atje mund të lejojet që të ngasësh një motorr uji, një skaf, apo një krocere (bëj shaka, se kroceret te ne kalojnë vetëm për t’u furnizuar me karburant). Sa njerëz kanë humbur jetën nga aksidente të tilla? Sa të huaj? Turp për ne! Na vijnë në shtëpi të gëzuar, e nuk kthehen më. Sepse ne i vrasim. Por kjo nuk është një jehonë e mirë për ne. As turizmi blu nuk bën. Madje duhet ta shesim fare, sepse ne nuk dimë ta shfrytëzojmë. Ç’e duam ?!

Kemi pasuri nëntokësore. Ahh sa kemi! Nëse e gjithë ajo pasuri, do shfrytëzohej si duhej, ne do e kishim lënë Zvicrën shumë hapa mbrapa. Dhe këtë e them me shumë bindje. Kemi kromin, të cilin banorët e Bulqizës e mbledhin per 50 lekë të vjetra. Eksportohet jashtë, po fitimi ku shkon? Ne përsëri marrim kredi për të mbushur buxhetin e shtetit.

Kemi mermerin, të cilin në shumë zona e shfrytëzojnë kompani të huaja për llogari të vetat. Për shumë nga ata shteti nuk e di fare që ekzistojnë. Ose i di dhe i mbyll sytë. Po pse të pasurohen shqiptarët? Më mirë të huajtë, ata na duhen. Kemi edhe shumë miniera të tjera, që do t’ua rendis një ditë tjetër.

Ah se desh harrova, prodhimet bujqësore. Ato më të rëndësishmet, që shumë zona tonat shquhen si për: patate, mollë, bostan. Pse nuk i lirohet tregu këtyre bujqve, por duhet të importohen të njëjtat prodhime nga jashtë. E dini që shumë prej tyre ju kalben të gjithë zahiretë? Madje njërit në Lushnjë i ishte kalbur 3 dynim shalqi, sepse: 1- nuk kishte rrugë nga ta nxirrte, që nga toka. 2- nuk kishte një treg të vetin ku mund ta shiste. Sa i dëshpëruar duhet të jesh të shpenzosh aq shumë për të fituar një ditë, e i gjithë shpenzimni të të kthehet në mbeturina!

Ja pra të dashur lexues, kemi gjithë këto pasuri, e sërish renditemi tek vendet më të varfëra në rajon.

Por këtu në Shqipërinë tonë, asgjë nuk është më çudi.

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303