Shqipëria U-17 i jep fund turneut, e mbyll me fitore

Screenshot_1-33.png

Më në fund, një fitore. Shqipëria U-17 nuk largohet nga Turqia me zero pikë, të paktën. Elvin Beqiri ka debutuar jo fort pozitivisht në krye të këtyre kuqezinjve, por të paktën ka mposhtur Moldavinë. Anglia dhe Turqia ishin “kafshatë e pakapërdishme” për tanët.

Një mundësi e mirë për trajnerin e ri shkodran, gjithsesi, për t’i parë lojtarët e grumbulluar në veprim, për të krijuar një ide për secilin dhe të gjithë si grup. Fitoren e sotme, 2-1 ndaj Moldavisë, e ka njoftuar faqja zyrtare e FSHF-së: “Kombëtarja shqiptare e futbollit, mosha U-17, e drejtuar nga trajneri Elvin Beqiri, ka fituar me rezultatin 2-1 ndaj Moldavisë, në ndeshjen e fundit të turneut “Mercedez Benz Cup 2019”, që po zhvillohet në Turqi.

Shqipëria e filloi ndeshjen me këtë formacion: Bekteshi, Burgaj, Preka, Gjuzi, Dervishi, Papa, Kasemi, Mitaj, Pengu, Doko, Dervishi. Pjesa e parë përfundoi me rezultatin e bardhë 0-0, me të dyja ekipet përfaqësuese që zhvilluan një lojë të fortë. Në pjesën e dytë, kuqezinjtë e kanë gjetur rrjetën e portierit kundërshtar dy herë.

Në minutën e 56-të ka qenë Ilir Gjuzi, ai që ka shënuar për Shqipërinë, ndërsa në minutën e 58-të, ka ardhur goli i dytë, mjaft i bukur, realizuar nga goditja e dënimit prej kapitenit Mario Mitaj. Për moldavët ka shënuar Frate në minutën e 82-të”.

Sa për kujtesë, ky është bilanci i Shqipërisë U-17 në këtë turne:
14 janar: Angli-Shqipëri 2-0
15 janar: Turqi-Shqipëri 3-1
17 janar: Moldavi-Shqipëri  1-2

scroll to top