Shqipëria U19/ Malaj dhe Morina optimistë për kualifikimin

Në prag të ndeshjeve eliminatore që Kombëtarja Shqiptare U19 do të luajë në Belgjikë, kanë dalë sot në konferencë për shtyp portieri i Partizanit Livio Malaj dhe mesfushori i Oostende B, Blerind Morina.

Që të dy futbollistët folën për atmosferën në grupin e drejtuar nga trajneri Nevil Dede dhe pranuan se optimizmi është i lartë për një kualifikim në Elite Round, që do të ishte një arritje për Shqipërinë U19.

“Ditët e para të grumbullimit po shkojnë shumë mirë. Jemi pothuajse të gjithë çunat dhe kushtet për të punuar janë shumë të mira. Besoj se do shkojmë për një paraqitje sa më të mirë në Belgjikë, pasi kemi gati një vit të gjithë çunat bashkë dhe kalojmë shumë kohë në grumbullim, por edhe jashtë tij. Besoj se harmonia është shumë e mirë, diçka pozitive që do na ndihmojë në fushë. Grupi është cilësor, me lojtarë të mirë dhe nuk ka asnjë arsye pse të mos kërkojmë më shumë, e të ndihemi të barabartë. Skuadrat e tjera janë aty-aty dhe grupi është i ekuilibruar, ndaj kërkojmë të arrijmë objektivin, të kapim “Elite Round”, tha Malaj.

“Ditët e para po shkojnë shumë mirë. Kemi 1 vit bashkë dhe njihemi mjaft mirë. Shoqëri kam me të gjithë, por rri më shumë me Malajn dhe Muçin. Kemi shumë kualitete, por grupi është i vështirë. Për mua objektiv është që të kualifikohemi në “Elite Round””, tha Morina.