fbpx

Shqiptarët e bllokuar në Kapshticë/ Pandeli Majko zbulon ç’i tha mjeku pas konsultës

Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko ka folur për emigrantët shqiptarë të bllokuar në Kapshticë. Ai theksoi se  30 emigrantët që ndodhet në Kapshticë do të hyjnë në Shqipëri dhe do të vendosen për një periudhë dy javore në hotele.

“Për sa i përket personave që kanë emergjencë, duhet paraprakisht të komunikojnë me Ambasadat dhe nëse marrin dakortësinë e tyre mund të drejtohen drejt Shqipërisë. Në të kundërt, të mos e marrin një vendim të tillë. Unë kam që nga e premtja që merrem me këtë punë. Po merrem dhe në kuadër të një Këshilli të Diasporës. Por paraprakisht dua të sqaroj që masat shtrënguese janë marrë në konsultimet e bëra me mjekët, të cilët vlerësojnë situatën dhe jo nga politikanët, të cilët këtë koha kanë dalë në plan të tretë. Shteti shqiptar është në karantinë. Duket sikur në këtë situatë qeveria i ka hipur qejfi për të lënë persona në kufij. Personat që kanë një hall të rëndësishëm duhet të kontaktojnë me Ambasadën dhe nëse marrin dakortësinë e tyre mund të vijnë drejt Shqipërisë”, u shpreh Majko.

Ai theksoi se  askush nuk do donte të kishte familjarin e vet atje.

“Ne jemi në karantinë, sot njerëzit nuk shkojnë dot në mort. Vdiq artisti i madh Gëzim Kruja, sot do kishin dalë të gjithë ta përcillnin. Duket sikur qeveria do të luaje me nervat e shqiptarëve dhe të lërë njerëzit në kufi, por është e drejtë administrative në kudër të taskforcës për të bllokuar kufirin”, u shpreh Mjako.

“ Ky absurditet nuk vjen nga një dëshirë qeveritare, por gjithë kjo histori po bëhet për jetën. Për këtë çështje u konsultova më herët me një mjek dhe e di si më tha? Më tha: më mirë të shtrirë ata atje në Kapshticë, se sa të vdekur të gjithë në spital”, deklaroi ministri Majko.