Shqiptari i vrarë në Greqi, i sapoliruar nga burgu

Altin Mullaj është 39-vjeçari shqiptar i vili u vra dje nga policia greke gjatë një shkëmbimi zjarri. Ngjarja ndodhi pasditen e djeshme rreth orës 18:30 në territorin grek, pranë kufirit të gjelbër me Shqipërinë, në Janinë. Në një reagim zyrtar për ngjarjen. Policia e Shtetit shqiptar tha se është informuar ng apolicia greke për ngjarjen e rëndë.

“Sipas informacionit të Policisë greke, 39 vjeçari humbi jetën gjatë një shkëmbimi zjarri. Policia e Shtetit është në proces të vazhdueshëm shkëmbimi informacioni me Policinë greke për këtë çështje”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Altin Mullaj, ishte banues në Fushë-Verri të Delvinës.

Mullaj ka qenë i dënuar më parë për një vrasje në Tiranë. Mullaj u dënua 11 vjet, kreu 9 vjet në Peqin. Ai kishte dy muaj që kishte dalë nga burgu.Mësohet se Mullaj është vëllai i një ish-oficeri policie, edhe ai ish i dënuar me burg.

“Ndërkohë që Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme po kryen hapat e nevojshme me autoritetet homologe greke, Policia e Shtetit siguron qytetarët dhe familjarët e viktimës se do të ndiqen të gjitha hapat në kuadër të bashkëpunimit diplomatik dhe policor dypalësh, për sqarimin e situatës dhe të rrethanave ku humbi jetën shtetasi shqiptar”, – vijon më tej njoftimi i Policisë së Shtetit shqiptar.

Dje policia greke kishte ngritur një kurth për kapjen e disa personave, trafikantë të lëndës narkotike. Sipas informacioneve të mbledhura, ata kishin magazinuar 166 kg e 200 gramë kanabis, të ndarë në gjashtë çanta. Në kohën që tre persona të dyshuar mbërritën në zonë dhe po përgatisnin transportin, ndërhynë forcat policore greke. Sapo kuptuan se ndodheshin nën ndjekjen e policisë, trafikantët hapën zjarr me automatikë, duke plagosur lehtë një polic, i cili u dërgua në spital jashtë rrezikut për jetën. Gjatë shkëmbimit të zjarrit, humbi jetën shqiptari, ndërsa policia është në kërkim të dy të tjerëve.

 

Cfare u sekuestrua nga policia greke

Lër një koment