Shtëpia e Bardhë nuk do të bashkëpunojë lidhur me hetimin ndaj Trump

Shtëpia e Bardhë ka refuzuar në mënyrë zyrtare të bashkëpunojë lidhur me hetimin për shkarkimin e presidentit amerikan, Donald Trump, hetim të cilin po e zhvillon Dhoma e Përfaqësuesve e udhëhequr nga demokratët.

Përmes një letre dërguar drejtuesve demokratë, Shtëpia e Bardhë e refuzoi hetimin si “të pabazë” dhe “të pavlefshëm nga ana kushtetuese”.

Tri komitete të Dhomës së Përfaqësuesve, të udhëhequra nga demokratët, po hetojnë presidentin Trump.

Hetimi është duke u përpjekur të zbulojë nëse presidenti ka tërhequr një ndihmë për Ukrainën në mënyrë që ta shtyjë autoritetet ukrainase ta hetojnë Joe Biden, i cili po kandidon për nominimin presidencial të demokratëve.

Letra e Shtëpisë së Bardhë vjen disa orë pasi administrata e Trumpit e bllokoi dëshminë e ambasadorit amerikan në Bashkimin Evropian që të paraqitej para komiteteve të Dhomës së Përfaqësuesve.

Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Pat Cipollone, iu drejtua përmes një letre me gjithsej tetë faqe kryesueses së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, dhe tre kryetarëve të komiteteve të udhëhequr nga demokratët.

Ai i akuzoi ata për ngritjen e një hetimi “që shkel të drejtat themelore dhe mandatin kushtetues” – posaçërisht duke mos mbajtur një votim për fillimin e hetimit.

Republikanët kanë kundërshtuar mënyrën sesi ka filluar procedura e shkarkimit ndaj presidentit Trump. Në të kaluarën, kur ish-presidentët amerikanë janë përballur me procedurë të shkarkimit, hetimet kanë filluar pas miratimit të një rezolute nga ana e Dhomës së Përfaqësuesve e cila ka autorizuar komitetet përkatëse për të filluar hetimit.

Mirëpo, kësaj radhe, komitetet e kanë filluar hetimin, pa një vendim të Dhomës së Përfaqësuesve.

Mediat amerikane raportojnë se letra e Shtëpisë së Bardhë për demokratët përmban argumente kushtetuese dhe politike.

Letra akuzon demokratët se po përpiqen të ndryshojnë rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2016.

“Për të përmbushur detyrat e tij ndaj popullit amerikan,presidenti Trump dhe administrata e tij, në këto rrethana, nuk mund të marrin pjesë në hetimin tuaj të njëanshëm dhe antikushtetues”, thuhet në letrën e Shtëpisë së Bardhë./real-news.tv/