Shtetet e Bashkuara do të kthejnë në Meksikë grupin e parë të azil kërkuesve

Shtetet e Bashkuara do të  kthejnë grupin e parë prej 20 azil-kërkuesish të Amerikës Qendrore në Meksikë, përmes qytetit kufitar Tijuana, si pjesë e forcimit të politikës së Presidentit Donald Trump ndaj emigracionit në SHBA.

Sipas një politike të quajtur Protokollet e Mbrojtjes së Emigrantëve, të shpallur më 20 dhjetor, Shtetet e Bashkuara do të kthejnë emigrantët jo-meksikan që kalojnë kufirin jugor të SHBA-ve në Meksikë, ndërsa kërkesat e tyre për azil përpunohen në gjykatat e emigracionit të SHBA.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Meksikës Roberto Velasco tha se autoritetet e SHBA pritet të dërgojnë në Tijuana grupin e parë të 20 azilkërkuesve të Amerikës Qendrore në territorin e Meksikës.

Ai theksoi se qeveria meksikane nuk do të siguronte ushqim apo strehim për azilkërkuesit e kthyer.

“Ajo që ne po propozojmë është që t’u sigurojmë këtyre njerëzve mundësi në tregun e punës”, tha Velasco, pa hyrë në detaje të mëtejshme.

Sipas politikës, autoritetet e SHBA-së do të dërgojnë deri në 20 njerëz në ditë përmes Tijuanës dhe gradualisht do të fillojnë të dërgojnë njerëzit përsëri nëpër portet e tjera ligjore të hyrjes përgjatë kufirit meksikan, tha Velasco.

Meksika do të pranojë kthimin e disa individëve që kanë një datë për t’u paraqitur në një gjykatë amerikane të emigracionit, por do të refuzojë ata që janë në rrezik në territorin meksikan, si për shembull ata që vuajnë nga probleme shëndetësore ose janë të mitur e të pashoqëruar./real-news.tv/