Dita e dytë pas legalizimit të kanabisit rekreativ, e ka gjetur Kanadanë me radhë të gjata jashtë dyqaneve, kjo si pasojë edhe e mungesave të furnizimit në disa zona.
Shumica e konsumatorëve kishin blerë mjaftueshëm, por disa të tjerë shprehën pakënaqësi se ende nuk kishin blerë kanabis pas legalizimit të tij.
Të tjerët u penguan nga çmimet relativisht të larta – duke filluar nga 5.25$ për gram në Quebec, 18.99$ në Saskatchewan – krahasuar me tregun e zi ku çmimet mesatare ranë vitin e kaluar në 6.79 $ për gram.
Përfaqësuesi i qeverisë së Quebecit për shpërndarjen e kanabisit në dyqanet e autorizuara për t’a shitur atë tha se numri i lartë i kërkesave e ka tejkaluar parashikimin e qeverisë.
Ai shtoi se ishte “e vështirë të parashikohej vëllimi i shitjeve … duke pasur parasysh mungesën e të dhënave nga një sektor që 48 orë më parë ishte ende i paligjshëm”.
Mungesa e furnizimeve u raportua në disa zona.
Disa shitës online, duke përfshirë portalin e qeverisë në Ontario, i paralajmëruan klientët të prisnin vonesa të transportit deri në pesë ditë.
Punonjësit e Postës Kanadeze janë shprehur të gatshëm të bëjnë grevë duke filluar nga e hëna pas bllokimit të bisedimeve për arritjen e një marrëveshjeje me qeverinë për shpërndarjen online, gjë që mund të shtyjë më tej dërgesat e porosive online.
Kanadaja të mërkurën u bë vendi i dytë në botë, pas Uruguait, për legalizimin e përdorimit të kanabisit rekreativ.