Shuhet në moshën 90 vjeçare fituesi i Nobel-it

Është ndarë nga jeta biologu japonez  Osamu Shimomura, fitues i çmimit Nobel në kimi. Ai ishte njëi nga të mbijetuarit e shpërthimit të bombës atomike në Nagasaki. Lajmin për ndarjen e tij nga jeta e ka bërë të ditur Universiteti i Nagasakit.

Në 2008 Shimomura fitoi çmimin Nobel, së bashku me dy shkencëtarë amerikanë, pas zbulimit të një proteine të nxjerrë nga kandili i detit, që ndihmoi në studimet kundër kancerit. I lindur në Kyoto në 1928, ai kishte studiuar në Nagasaki dhe kishte qenë dëshmitar i efekteve të tmerrshme të bombës atomike.

Osamu ndërpreu studimet gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe u detyrua për një kohë të gjatë të punojë në një fabrikë municionesh.

Arriti të diplomohej në 1951 për  Kimi, në Nagasaki. Më vonë ai u transferua në universitetin e Princeton, ku izolonte proteinat nga mijëra kandilë të peshkuar në brigjet perëndimore të Shteteve të Bashkuara, shpesh herë me ndihmën e bashkëshortes së tij Akemi.

Proteina, e njohur si Proteina e Gjelbërt Fluoreshente, ka pasur një rol kyç në studimet dhe proceset biologjike të qelizave.

 

Lër një koment