‘Shumë shpejt kalon në Parlament’/ Zv.ministrit i dalin SMS-të me ekspertin, ja çfarë thuhet

Pas diskutimeve dhe pyetjeve pa përgjigje për ngritjen e Korporatës së Investimeve shqiptare, vazhdojnë të rriten dyshimet për transparencën dhe qëllimin e saj. Ngritja e Korporatës së Investimeve u votua nen për nen në komisionin e ekonomisë dhe financave dhe ditën e sotme u votua në komisionin e veprimtarisë prodhuese.

Gjatë kohës që po pritej të formohej kuorumi për të votuar këtë projektligj, pasi deputete e opozitës u larguan nga salla, zëvendësministri i ekonomisë dhe financave Elton Haxhi, raportonte në telefon për kalimin në parlament të tij tek Ermal Frashëri. Në mesazhin dërguar Ermal Frashërit, raportohet për kalimin me votë në komisionin e ekonomisë, si edhe do të kalonte në komisionin e veprimtarisë prodhuese, ku zëvendësministri e njeh  si komisioni i industrisë, madje i premton që shumë shpejt do të kalojë edhe në parlament.

Po kush është Ermal Frashëri, që kërkon informacion për AIC Albanian Investment Corporation (Korporata e Investimeve Shqiptare). Ermal Frashëri është ekspert ekonomie dhe pedagog ne universitetin e Harvardit. Gjatë verës që lamë pas në deklarimet publike të bëra, Frashëri është pro koorporatës si dhe ka udhëtuar drejt Jordanisë, ku edhe është marrë modeli i suksesit të koorporatës.

Ermal Frashëri ka mbaruar studimet e doktoratës në Shkollën Juridike të Harvardit, ku ai punoi në fushatën e së drejtës dhe zhvillimit ekonomik, të drejtës ndërkombëtare, integrimit evropian dhe teori sociale dhe politike.

Projektligji për korporatën e investimeve shqiptare po kalon nga njëri komision tek tjetri edhe vetë deputet e pranojnë që ka mangësi, mungesë transparence dhe mungese informacioni.

Ashtu si në komisionin e ekonomisë, ky projektligj kaloi edhe në komisionin e veprimtarisë prodhuese, dhe siç duket do të votohet edhe në parlament shumë shpejt, dhe siç u premtua në mesazh. Ndërsa ekspertët vazhdojnë ta kundërshtojnë dhe mungon konsultimi publik.