Shumica e amerikanëve fajësojnë Presidentin Donald Trump më shumë se demokratët e kongresit për mbylljen e pjesshme të qeverisë amerikane, sipas një sondazhi të Reuters.
Dyzet e shtatë përqind e të rriturve bëjnë Trump përgjegjës, ndërsa 33 për qind fajësojnë demokratët në Kongres, sipas anketës së 21 dhjetorit, të kryer kryesisht pas fillimit të mbylljes së qeverisë. Shtatë për qind e amerikanëve fajësuan republikanët e Kongresit.
Mbyllja u shkaktua nga kërkesa e Trump, e kundërshtuar kryesisht nga demokratët dhe disa ligjvënës nga Partia e tij Republikane, që tatimpaguesit t’i japin atij 5 miliardë dollarë për të paguar një mur që ai dëshiron të ndërtojë përgjatë kufirit SHBA-Meksikë. Kostoja totale e murit është vlerësuar 23 miliardë dollarë.
Vetëm 35 për qind e të anketuarve thanë se ata mbështesin idenë që të jepen paratë për murin. 25 për qind thanë se mbështesin Trumpin për mbylljen e qeverisë mbi çështjen.
Në një deklaratë, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Sarah Sanders tha, “Presidenti ka bërë të qartë se çdo projekt-ligj për financimin e qeverisë duhet të financojë në mënyrë adekuate sigurinë e kufirit”.
Deklarata nuk përmendi murin e propozuar të Trump.
Të dy dhomat e Kongresit u mblodhën për pak minuta ditën e enjte, por nuk morën ndonjë vendim për t’i dhënë fund mbylljes së qeverisë.
Demokratët dhe republikanët ishin ende shumë larg zgjidhjes së ngërçit, tha zëdhënësi i drejtuesit të Partisë Demokratike të Senatit Justin Goodman në një deklaratë./real-news.tv/