Si degradoi dhe u shkatërrua ushtria shqiptare pas viteve ’90

Rënia e sistemit komunist dhe hapja e Shqipërisë me botën në vitin 1990 do të kishte ndikimin e saj edhe në sistemin ushtarak, aty ku regjimi diktatorial kishte investuar shuma të mëdha për të ngritur infrastrukturën gjigante të ushtrisë shqiptare.

Një nga etapat e para të shkatërrimit dhe degradimit të ushtrisë shqiptare, pasojat e së cilës ndihen edhe sot edhe pse jemi anëtarë të NATO-s, është zhvlerësimi i statusit të ushtarakut.

Viti 1997 ishte viti kur ushtria pëson goditjen më të madhe, kur vendi u përfshi nga çmenduria kolektive dhe armatimet ranë në duart e njerëzve të ndryshëm. Kaosi i vitit 1997 shkatërroi të gjithë strukturën ushtarake duke lënë vetëm skeletet e saj nga pas.

Ushtria shqiptare ka pasur resurse të mëdha, kryesisht sa i përket karburantit. Sipas kolonel Pëllumb Zaimit, në vitin 1997 u shpërdoruan të paktën 50 mijë ton karburant, dhe në atë kohë karburanti kishte një vlerë prej 600 lek për litër. Por me këtë rast u asgjësuan dhe dokumentacionet dhe kështu askush nuk u fajësua për këto vjedhje gjigante.Ajo çka kishte mbetur pas nga ushtria shqiptare u pa edhe si një alternativë biznesi për shumëkënd e veçanërisht për politikanët shqiptarë. Filloi në mënyrë masive demontimi i armëve dhe municioneve të ndryshme të cilat shiteshin për skrap.

Ky biznes do të kulmonte me tragjedinë e Gërdecit ku do të nxirrte në shesh gjithë pisllëkun e një krimi shtetëror. Gjithashtu edhe pronat e ushtrisë iu nënshtruan në mënyrë masive shitjeve dhe privatizimeve në mënyrë abuzive.Në fund të vitit 1992 na vjen një urdhër i ministrit të Mbrojtjes Safet Zhulali, i cili kërkonte të dinte se sa sipërfaqe banimi kishte Divizioni i Parë i Tiranës (që ishte dhe më i madhe në vend), me qëllim që të strehoheshin ushtarakët që ishin pa shtëpi. Punuam mbi harta dhe në fund dolëm në konkluzionin se Divizioni i Parë kishte hapësira banimi prej dhomë e kushinë, 1+1 sipas standartit të kohës, të paktën 8000 hyrje. Shqipëria kishte një potencial prej 22 divizionesh. Po të marrim një mesatare që njësitë e tjera kishin 5000-6000 hyrje të tilla, pra 1+1, mund të strehoheshin të paktën 120 mijë familje. Por ku janë këto prona tani, po trojet përreth tyre? Ky është dhe abuzimi më i madh i qeverive që kanë ardhur në Shqipëri pas vitit 1992”, kujton kolonel Zaimi.

Sot Shqipëria është anëtare e NATO-s, por ajo nuk është as e armatosur sipas standardeve të NATO-s, as e veshur sipas standardeve të Aleancës dhe relativisht shumë pak e stërvitur po sipas këtyre standardeve. Kjo tregon efektin degradues që ka pasur mënyra e menaxhimit të ushtrisë shqiptare, ku edhe pse jemi anëtarë të Aleancës së Atlantikut të Veriut hapësirat tona ajrore i ruajnë avionë italianë dhe ata grekë.

Ushtria gjatë sistemit diktatorial

Në anën tjetër, në kohën e Enver Hoxhës, Shqipëria kishte investuar shumë më shumë në Ushtri dhe armatim, aq sa konsiderohej si fuçi e rrezikshme baruti në Ballkan.

Kështu, nëse lufta do të fillonte krejt papritur, pa paralajmërime dhe pa përqendrim të trupave armike në vijën e kufirit, Ushtria shqiptare ishte përgatitur që për 2-3 minuta nga shkelja e territorit shqiptar, të hapte zjarrin e parë me mitralozat e rëndë të cilësuara si “armë roje”, apo me anë të batalioneve që gjithashtu quheshin “art-mitraljer”. Kjo sa për fillim, pasi strukturat ushtarake e viteve ‘80 lejonte që për 72 orët e para të mund të viheshin nën armë të paktën 750 mijë njerëz në uniformë.

Më 1951 u ngrit për herë të parë avioni luftarak me pilotë shqiptarë. Ushtria shqiptare zotëronte dikur rreth 320 aeroplanë ushtarakë (MIG), si dhe 50 helikopterë. Forcat tankiste deri në vitin 1978 ishin mbi 1500 copë, pa llogaritur transportuesit e blinduar, si dhe mjetet amfibe… Pajisje të forcave kundërajrore me raketa SAM-1 SAM-2 SAM-3, si dhe pajisje të artilerisë kundërajror me radar.

Në bazat ushtarake detare ishin gati për minimin e bregdetit me mbi 35 mijë mina detare, të cila ishin të mbrojtura nga artileria bregdetare e përbërë me mbi dy mijë gryka të ndryshme topash.

Shqipëria ishte përgatitur edhe për mbrojtje kundëratomike dhe për një luftë të gjatë mbi dhjetë vjet. Ajo kishte qindra-mijëra bunkerë. Vetëm depot e rezervave ushqimore siguronin në kushte hermetike të rrethimit luftarak mbi pesë vjet furnizime me drithëra.