Si e humbi kontrollin “Kontrollokracia”

XIAO QIANG

Ndonëse epidemia globale e koronavirusit, vetëm kohët e fundit ka pushtuar titujt ndërkombëtarë, disa në Kinë e kanë ditur për të që prej fillimit të dhjetorit. Falë diktaturës së teknologjisë së lartë të Presidentit Kinez Xi Jinping, ai informacion nuk u bë publik, dhe virusi u lejua të përhapej

BERKELEY – Në librin e tij të vitit 2016 “Diktatura e Përsosur: Kina në Shekullin 21”, politologu norvegjez Stein Ringen e përshkruan Kinën bashkëkohore si një “kontrollokraci”, duke argumentuar se sistemi i saj i qeverisjes është shndërruar në një regjim të ri, rrënjësisht më i ashpër dhe më ideologjik sesa të mëparshmit. “Kontrollokracia” e Kinës tani mban përgjegjësi kryesore për epideminë e koronavirusit, që po përhapet në atë vend dhe në botë.

Gjatë tetë viteve të fundit, udhëheqja qendrore e Partisë Komuniste të Kinës ka ndërmarrë hapa për të forcuar autoritetin personal të Presidentit Xi Jinping, si dhe zgjerimin e kompetencave të vetë Partisë Komuniste, në kurriz të ministrive dhe qeverive lokale dhe rajonale. Autoritetet qendrore kanë ndjekur gjithashtu një strategji goditjesh të vazhdueshme ndaj kundërshtive, e cila është ndjerë në të gjitha fushat e jetës shoqërore dhe politike kineze.

Nën këtë kontrollokraci, faqet e internetit janë mbyllur; avokatët, aktivistët dhe shkrimtarët janë arrestuar; dhe një ngricë e përgjithshme ka mbështjellë lirinë e shprehjes në internet dhe raportimin në media. Po kaq e rëndësishme, sistemi që Xi ka instaluar nga viti 2012 po i prin orientimit të teknologjive të reja në Kinë. “Cloud computing”, “big data” dhe inteligjenca artificiale (AI) po përdoren të gjitha për të forcuar kontrollin e qeverisë qendrore mbi shoqërinë.

Rasti i parë i koronavirusit u shfaq në Wuhan, kryeqyteti i provincës Hubei, më 1 dhjetor 2019 dhe, qysh në mesin e atij muaji, autoritetet kineze kishin prova se virusi mund të transmetohej midis njerëzve. Sidoqoftë, qeveria nuk e pranoi zyrtarisht epideminë në televizionin kombëtar, deri në 20 janar. Gjatë atyre shtatë javëve, policia e Wuhanit ndëshkoi tetë punonjës të shëndetësisë për shkak të përpjekjes së tyre për t’u rënë zileve të alramit, në mediat sociale. Ata u akuzuan për “përhapjen e thashethemeve” dhe prishje të “rendit shoqëror”.

Ndërkohë, qeveria rajonale e Hubeit vazhdoi të fshehë numrin e vërtetë të rasteve të koronavirusit, pasi zyrtarët lokalë ishin mbledhur me qeverinë qendrore në mes të janarit. Në atë moment, censurimi i përgjithshëm dhe pengesat burokratike kishin shkatërruar çdo mundësi për të vënë virusin nën kontroll, përpara se ai të përhapej në Wuhan, një qytet me 11 milion njerëz. Deri më 23 janar, kur qeveria më në fund shpalli karantinën për banorët e Wuhanit, rreth pesë milion njerëz kishin dalë tashmë nga qyteti, duke shkaktuar epideminë që po përhapet në Kinë dhe pjesën tjetër të botës.

Kur përmasa e vërtetë e epidemisë u bë e qartë, opinioni publik kinez reflektoi me një përzierje të parashikueshme të zemërimit, ankthit dhe dëshpërimit. Njerëzit u dyndën në internet për të shfryrë mllefin dhe zhgënjimin. Por nuk u desh shumë kohë që shteti të veprojë, duke kufizuar ndjeshëm aftësinë e gazetarëve dhe qytetarëve të shqetësuar, për të shkëmbyer informacione rreth kriz

Më pas, më 3 shkurt, pasi Xi kishte kryesuar takimin e dytë të Komitetit të Përhershëm për epideminë, aparati propagandistik i partisë u urdhërua të “udhëzojë opinionin publik dhe të forcojë kontrollin e informacionit”. Në praktikë, kjo do të thotë që teknologjitë më të larta të informacionit dhe inteligjencës artificiale, si edhe ato të big data, po përdoren për të monitoruar tërësinë e opinionit publik kinez në internet. Kontrollokracia tani po funksionon potencial të plotë, me algoritme të njohjes së fytyrës, imazhit dhe zërit që përdoren për të parashikuar dhe shtypur çdo kritikë të mundshme ndaj qeverisë, si dhe për të eleminuar të gjitha informacionet “jozyrtare” në lidhje me epideminë.

Më 7 shkurt, Li Ëenliang, një nga mjekët që u përpoq t’u binte këmbanave të alarmit për shpërthimin, vdiq nga koronavirusi, gjë që shkaktoi një stuhi të zjarrtë në mediat sociale. Publiku kinez tashmë po e përkujton atë si hero dhe viktimë, që u përpoq të tregonte të vërtetën. Miliona njerëz kanë shprehur në mediat sociale hidhërimin e tyre, duke kërkuar që qeveria të kërkojë falje si dhe më shumë liri të shprehjes.

Për herë të parë që nga ardhja në pushtet, makina e censurimit e teknologjisë së lartë e presidentit Xi, po ndesh në rezistencë të fortë nga miliona përdorues kinezë të Internetit. Kontrollokracia është duke u vënë në provë. Sidoqoftë, me shumë mundësi, shpërthimi në vetvete do të përdoret për të justifikuar edhe më shumë mbikëqyrjen dhe kontrollin e popullatës.

Xi është një diktator i palëkundur. Por diktatura e tij është larg nga të qënit “perfekte”. Nevoja e tij obsesive për të kontrolluar informacionin ka privuar qytetarët kinezë nga e drejta e tyre për të ditur se çfarë po ndodh në komunitetet e tyre, dhe potencialisht brenda trupave të tyre.

Pavarësisht të gjitha teknologjive të përparuara dixhitale dhe fuqisë së jashtëzakonshme ekonomike dhe ushtarake, Kina po qeveriset sikur të ishte një autokraci para-moderne. Kinezët meritojnë më shumë. Fatkeqësisht, ata dhe pjesa tjetër e botës do të vazhdojnë të paguajnë një çmim të lartë, për despotizmin e hi-tech të Xi. / Project Syndicate – Bota.al