‘Si mund të investojnë të huajt në Shqipëri, kur nesër do vijë komshiu t’u zërë tokën’

Konfliktet me pronat po largojnë investitorët nga Shqipëria.

Mark Crawford, ish-presidenti i Dhomës Amerikane deklaron për Ora se në shumë raste bizneset e huaja tërhiqen nga projektet që kanë Shqipëri pasi nuk kanë siguri për terrenin ku realizojnë investimin.

Mark Crawford: “Para 1 muaji ishte rasti i një amerikani që erdhi dhe bleu tokë në Vlorë. Thanë që kemi dokumentet, komshiu i tha që është unë kam dokumentet por më duhet një çerek i tokës suaj. Shkuam në gjykatë, nuk kishte marrëveshje. Komshiu në mes të natës shkoi dhe e mori.”

Për të zgjidhur këtë problem Crawford sugjeron miratimin e një liste me pronat që nuk kanë probleme si një mundësi për të thithur investimet.

Mark Crawford: “Nëse nuk ka një Kadastër online, jemi të verbër, nuk e dimë se çfarë po bëjmë. Si mund të investosh dhe ndërtosh një fabrikë kur nuk e di nëse komshiu nesër do vijë dhe do thotë kjo është toka ime.”

Sipas Crawford mos hapja e negociatave me Shqipërinë ishte diçka që pritej.

Mark Crawford: “Kemi folur shumë BE. Nuk u habita që nuk morën këtë hap.”

Përfundimi i projektit të gazsjellësit TAP dhe HEC-ve në Devoll janë kthyer në një problem serioz për ecurinë ekonomike të vendit e cila thuajse është përgjysmuar nëse e krahasojmë me një vit më parë.