Si nisi sherri? Nga debate nëpër shkallë te granata, njohja e vjetër e Kryebashkiakut me autorin

Ish-shoferi i Bashkisë Lushnje Gëzim Saraçi, dyshohet se është personi që ka hedhur granatë në zyrën e kryebashkiakut të Lushnjes Fatos Tushe, ku ka mbetur i plagosur vetë Tushe dhe sekretarja e tij Erisa Qalliu.

Mësohet se granata është vendosur poshtë derës së kryetarit, dhe në momentin që Fatos Tushe ka hapur derën e zyrës ka ndodhur dhe shpërthimi i fuqishëm. Nga shpërthimi ëhstë plagosur dhe sekretarja Erisa Qalliu. Shtetasi i dyshuar si autor i këtij atentati Gëzim Saraçi, ka qenë ish-shofer në Bashkinë e Lushnjes, ndërsa ka pasur debate të herëpashershme me Tushen.

Ngjarja e rëndë është regjistruar rreth orës 08:00 të mëngjesit të sotëm. Në drejtim të Lushnjes është nisur vetë drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ardi Veliu dhe ekspertë të Policisë Kriminale, ndërsa për dijeni është njoftuar dhe kryeministri Edi Rama.

Bëhet me dije se 45 vjeçari Gëzim Saraçi ka qenë shofer i kryebashkiakut të mëparshëm të Bashkisë së Lushnjes Albert Sanxhaku, dhe në kohën kur në detyrë ka ardhur Fatos Tushe, ai është larguar nga puna. Nuk dihet nëse largimi nga puna ka qenë motivi i kësaj ngjarje të rëndë që ka tronditur sot Lushnjen.

 

Kamerat e Bashkisë kanë fiksuar momentin e shpërthimit dhe autorin e dyshuar të ngjarjes, ndërsa dyshohet se ai është ndihmuar nga persona të tjerë për tu larguar.