fbpx

Si u përhap COVID-19 në QSUT? Gjata jep version tjetër: Nuk i infektoi infermierja…

gja.png

QSUT është kthyer në një vatër të re të COVID-19 ditët e fundit. Pak pas zërave se ka qenë një infermiere ajo e cila ka infektuar të tjerët ka ardhur dhe reagimi i shefit të Kirurgjisë në QSUT, Arben Gjata, i cili rrëzoi kategorikisht pretendimet se infermierja është rikthyer në punë edhe pasi kishte marrë përgjigjen e analizave ku kishte rezultuar pozitive me Covid-19.

“Nuk është e vërtetë që infermierja është kthyer në punë pas analizave. Infermierja mund të jetë prekur në pavion. Para dy javësh, në pavionin ku janë pacientët në gjendje të rëndë, ka qenë një paciente e shtruar me shumë probleme dhe pasi u stabilizua u largua në shtëpi. Disa ditë pasi doli nga spitali, pati temperaturë dhe pas tamponit rezultoi pozitive. Ka shumë mundësi që infermierja dhe një pjesë tjetër e stafit mjekësor mund ta kenë marrë virusin nga kjo paciente, por nuk mund ta themi me siguri.

Infermierja pasi bëri tamponin shkoi dhe bëri edhe te ORL-ja, ku ka bërë një vizitë pasi kishte dhimbje fyti. Në darkë, ajo rezultoi pozitive dhe nga ai moment, ajo nuk është rikthyer më në punë, madje është shtruar në Infektiv. Tamponi iu mor të gjithë personelit mjekësor të atij shërbimi. Nga ana tjetër, duke qenë të sëmurë rëndë bëhen konsulta brenda shërbimit edhe nga mjekë të shërbimeve të tjera.

QSUT është një vatër shumë e rrezikshme dhe për shkak edhe të karakterit që ka, duke mbledhur pacientë nga e gjithë Shqipëria, rrezikonte shumë për hapjen e Covid-19. Prandaj ne kemi propozuar që të punohej me grupe nga dy javë, prandaj janë ndërprerë operacionet kirurgjikale, duke u çuar te Trauma”, u shpreh Gjata.

REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303