fbpx

Situata në Rinas, zv/ministri tregon si llogaritet rroga e kontrollorëve të trafikut ajror

etien-xhafaj.jpg

Fluturimet në Aeroportin e Rinasit janë bllokuar pasi kontrollorët e trafikut ajror që punojnë për AlbControl kanë lënë punën. Zv/ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Etien Xhafaj, shpjegoi këtë të mërkurë në emisionin “Opinion” se si funksionon një kompani si ajo e AlbControl.

“Kompania në fakt funksionon me një sistem që përdor të gjitha fondet e veta. Fondet i merr nga tarifat që paguhen si për mbikalimet ashtu dhe ulje-ngritjet në aeroportin e Rinasit. Bazuar në skenarë që llogariten në Nëntor të çdo viti, EuroControl sjell tre skenarë parashikueshmërie të nivelit të trafikut dhe të fluksit të këtij trafiku, skenar konservativ, skenar mesatar dhe skenar shumë të mirë. Në bazë të kësaj llogaritet buxheti i kompanisë”.

Janë rreth 210 mijë fluturime në vit që kalojnë në hapësirën shqiptare, të cilët paguajnë tarifa. Këto tarifa sipas Xhafajt kalojnë për Albcontrol.

“Shkojnë të gjitha tarifat për AlbControl. AlbControl përdor të gjitha financat e tyre. I shkojnë AlbControl dhe në fund të vitit janë të transferueshme. Pra për planifikimin financiar të vitit pasardhës AlbControl merr parasysh se sa shpenzime ka përdorur në vitin e kaluar. Vlen të theksohet se diferenca e viti që po flasim, 2020 me vitin paraardhës, 2019 që ka qenë viti më i mirë në industrinë e aviacionit në Shqipëri është një diferencë me 57% më pak. Është niveli i vitit 2004 dhe sipas parashikimeve të EuroControl trafiku i vitit 2019 në skenarin më të mirë do të riarrihet në një periudhë mes 2024-2026”.

Zv/ministri tregoi edhe se si llogaritet rroga e kontrollorëve. Ai u shpreh se paga për kontrollorët nuk bëhet nga shteti.

“Rroga llogaritet në bazë të gjitha shpenzimeve. Ka një sistem të mirëbërë të planifikimit financiar që ka funksionuar deri në momentin e pandemisë. Nuk është rrogë shtetërore, por rrogë disa herë më e madhe se puna shtetërore, në bazë të punës që bëjnë dhe duke qenë se funksioni që bëjnë konsiderohet një nga funksionet jetike. Është një funksion që ka elementë të sigurisë kombëtare të përfshirë në të, të përmendura në disa nene”.

Paga e kontrollorëve të trafikut ajrorë në Shqipëri ishte 4400 dollarë, ndërkohë që është ulur në 2490 Dollarë. Trajnimi për kontrollorët e trafikut ajror shkon deri në 100 mijë dollarë.

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303