Situata në Siri/ Trump bisedë telefonike me Erdogan

trump-erdogan.jpg

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ku ka  shprehur shqetësimin e tij për dhunën në Idlib të Sirisë.

Lajmi u bë i ditur nga sekretari për media i Shtëpisë së Bardhë, Judd Deere, i cili theksoi se Trump kërkoi që Rusia të ndalojë mbështetjen e saj për “mizoritë” e regjimit sirian dhe shprehu “dëshirën e SHBA-së për të parë fundin e mbështetjes ruse” për presidentin sirian, Bashar al-Assad.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë po ashtu bëri thirrje për “zgjidhjen politike të konfliktit në Siri”.

E mbështetur nga sulmet ajrore të Rusisë, Qeveria e Sirisë ka bërë përparime të dukshme ditëve të fundit në Idlib, i cili është dhe bastioni i fundit i rebelëve anti-qeveritarë.

Nga ana tjetër, Turqia, e cila mbështet rebelët që duan rrëzimin e Assadit, i ka kërkuar Rusisë që të ndalojë sulmet, duke paralajmëruar se nëse nuk tërhiqen deri në fund të muajit, do të përdorë fuqinë ushtarake kundër forcave siriane.

800,000 njerëz janë zhvendosur nga kjo zonë, që nga intensifikimi i luftimeve në muajin dhjetor.

REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303