fbpx

Situatë e tensionuar/ Franca u bën thirrje për kujdes qytetarëve të saj në vendet muslimane

Franca ka paralajmëruar qytetarët e saj, që jetojnë apo udhëtojnë në disa shtete me shumicë myslimane, të jenë tejet të kujdesshëm në kohën e zemërimit të rritur për shkak të disa karikaturave të shfaqura të Profetit Muhamed.

Ministria e Jashtme e këtij shteti, u ka bërë thirrje qytetarëve francezë në Indonezi, Bangladesh, Irak dhe Mauritani, që të qëndrojnë larg nga secila protestë që mund të zhvillohet rreth këtyre karikaturave, si dhe të qëndrojnë larg organizimeve publike.

Ambasada franceze në Turqi ka nisur kërkesë të ngjashme për qytetarët e saj atje.

Më 27 tetor në Bangladesh, dhjetëra mijëra protestues kanë mbajtur fotografi të presidentit francez, Emmanuel Macron me fjalët: “Macron është armiku i paqes”.

Në Iran, Ministria e Jashtme ka ftuar për intervistim të dërguarin francez në këtë shtet lidhur me karikaturat, kanë raportuar mediat shtetërore iraniane ditën e martë.

Zemërimi është ngjallur pas një sulmi me thikë jashtë një shkolle franceze më 16 tetor, në të cilin një burrë me origjinë çeçene i ka prerë kokën mësuesit Samuel Paty, i cili u ka treguar nxënësve të tij karikaturat e Profetit Muhamed gjatë një ore mësimi rreth lirisë së shprehjes.