S’ka më “Roaming” mes Kosovës dhe Shqipërisë…pas 6 muajsh!

Kryeministri Edi Rama duket se i kishte lënë të gjitha për t’i thënë në Pejë në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës.

Qartazi, Rama tha se Shqipëria do të jetë përkrah Kosovës  përballë Serbisë dhe brenda 6 mujorit të parë të vitit të ardhshëm nuk do ketë më “Roming” mes dy vendeve.

Meqë ata nuk duan që ne të jemi pjesë e marrëveshjes së tyre të Romingut, ne bëjmë marrëveshjen tonë të Romingut. Brenda 6 mujorit të parë të vitit të ardhshëm, Shqipëria dhe Kosova kanë marrëveshjen  e tyre dhe nuk ka më Roming mes nesh. Shëndet dhe mirupafshim”, u shpreh kreu i qeverisë.

Tarifa e Romingut nënkupton telekomunikimin dhe shërbimin që qytetarët e përdorin në një vend tjetër nga një qendër e operatorit të telefonisë mobile. Këto tarifa janë kryesisht dyfish më të larta sesa ato që përdoren për telekomunikim brenda një shteti.

Kryeministri njoftoi edhe marrëveshjen për njohjen e ndërsjelltë të patentave.

“Ne nuk jemi shqiptarët dhe serbët, ne jemi shqiptarët dhe shqiptarët. Patentat mes Kosovës dhe Shqipërisë nuk janë patentat mes Shqipërisë dhe Greqisë që na janë dashur gati 30 vjet negociata për të arritur në njohje reciproke. Patentat mes Kosovës dhe Shqipërisë janë patentat mes shqiptarëve dhe shqiptarëve. E tillë është gjithë lista e dokumenteve“, u shpreh ai.

Sa i përket bashkimit doganor, Rama e pati edhe një përgjigje për të gjitha ata që këtë mund ta konsiderojnë tentativë për Shqipërinë e Madhe.

Jemi të gatshëm ti presim  të gjithë ata që janë të shqetësuar, t’ua shpjegojmë si është kjo punë. Do jetë mesazh domethënës për të gjithë partnerët, për Serbinë në radhë të parë“, u shpreh kreu i qeverisë shqiptare.

 

 

Lër një koment