Skandali seksual në gjimnazin në Fier, ministria ja kalon fajin shkollës

Ministria e Arsimit nëpërmjet një njoftimi për mediat ka reaguar për skandalet seksuale në shkollën e mesme artistike të Fierit, të zbuluar në emisionin “Stop”.

Në njoftimin e saj ministria thotë se të gjithë personat e dyshuar si të përfshirë në abuzimet me nxënësit janë shkarkuar dhe po ndiqen penalisht.

Sipas ministrisë, barra e fajit për skandalin që prekte një pjesë të stafit të mësuesve bie mbi këtë institucion arsimor. Për këtë arsye ata njoftojnë se Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar ka ndryshuar pjesën drejtuese të shkollës.

Në njoftim thuhet gjithashtu se “parandalimi është kyç” dhe se “masat e ndërmarra ndaj mësuesve abuzues nuk janë trumbetuar në media” me qëllim që të mos ekspozohen personat e dëmtuar. Por nuk duhet harruar se sipas atyre që transmetoi emisioni “Stop”, abuzimet seksuale me nxënësit kishin kohë që ndodhnin. Pra masat parandaluese në këtë rast nuk kanë funksionuar dhe nëse rasti në fjalë nuk do të ishte bërë publik në media abuzimet me shumë gjasa do të vazhdonin.

Njoftimi i Ministrisë së Arsimit

Të gjithë personat e dyshuar si të përfshirë për abuzime ndaj nxënësve në rastin e një shkolle në Fier janë shkarkuar apo janë duke u ndjekur edhe penalisht.

Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar ka marrë masa të tjera të menjëhershme si ndryshimin i pjesëtarëve kryesorë të stafit të institucionit arsimor, dhënien e ndihmës psiko-sociale, ndërsa ndjekim nga afër çdo zhvillim në lidhje me hetimet e organeve kompetente.

Parandalimi është kyç, prandaj rregullorja e re e arsimit parauniversitar parashikon dënimet më të larta për ata që nuk punojnë në të mirën e nxënësve, abuzojnë apo përdorin çfarëdo lloj forme të dhunës në shkollë. Masat janë marrë edhe pse jemi ende në gjendjen e dyshimeve dhe jo përfundimeve finale, që tregon seriozitetin me të cilin MASR dhe institucionet e varësisë marrin në raste të tilla.

Natyrisht, masat e ndërmarra nuk janë trumbetuar në media për shkak se qëllimi ynë nuk është të bëjmë dëm duke ekspozuar ata që ndihen të dëmtuar. Gjë, të cilën po e bëjnë ata që nuk po rreshtin së shfrytëzuari në mënyrë makabre këtë rast për tërheqje vijueshmërie mediatike apo qërim hesapesh politike. Ky është abuzim në vete dhe si MASR kemi detyrimin të luftojmë edhe këtë formë të abuzimit në mbrojtje të nxënësve tanë.