Soreca: Institucionet e pavarura kyç për integrimin në BE, duhet t’i fuqizoni

Ambasadori i BE, Luigi Soreca ka kërkuar fuqizimin e institucioneve të pavarura, pasi sipas tij ato janë kyç në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.

Gjatë një takimi me institucionet e pavarura, të organizuar nga Kuvendit, Soreca tha se qeveria dhe parlamenti duhet të marrin masa për punën e rekomandimeve nga këto institucione.

Soreca: Më lejoni së pari të them që unë jam këtu për të shprehur mbështetjen për punën e institucioneve të pavarura. BE inkurajon përpjekjet e parlamentit dhe qeverisë për të përmirësuar bashkërendimin dhe llogaridhënien në punën e institucioneve të pavarur. BE ka mirëpritur mekanizmin e monitorimit të Parlamentit, kur ai u ngrit si i tillë. Po ashtu kemi parë edhe hapat që janë ndërmarrë për fuqizimin e këtij mekanizmi.

Është urgjente që ne të arrijmë rezultate më të prekshme dhe më të dukshme në publik. Këto përpjekje të cilat prekin çdo element të arkitekturës shtetërore kërkojnë një angazhim të fortë politik dhe teknik.

Me funksionet tuaja rregullatore institucionet e pavarura janë kyce për qeverisjen demokratike. Për BE roli në ruajtjen e balancave të pushteteve, por edhe të një sistemi të shëndetshëm ligjor si dhe një administratë publike e përgjegjshme janë tejet të rëndësishme.  

Institucionet e pavarura janë instrumentale për ecurinë e mëtejshme apo progresin për prioritetet kyçe për të cilat kanë rënë dakord BE dhe Shqipëria.

Është arritur progres në disa fusha, por ka ende sfida që duhen trajtuar. Raportet vjetore të KE janë shprehur që Shqipëria duhet të fuqizojë institucionet e pavarura, duke përfshirë nevojën për të trajtuar boshllëqe në kuadrin legjislativ, apo edhe nga mënyra si funksionojnë buxhetet dhe burimet njerëzore.

Është e rëndësishme për BE që parlamenti dhe qeveria të sigurojnë dhe të marrin masa për punën e rekomandimeve nga institucionet e pavarura. BE pret që këto rezultate të jenë të vazhdueshme.