Sot miqësorja me Uellsin, Shqipëria mbetet në Ligën C

1542704555_kombetarja.jpg

Kombëtarja mbyll vitin futbollistik sonte me miqësoren ndaj Uellsit që do të luhet në “Elbasan Arena” duke nisur nga ora 20:00. Pas humbjes katastrofike të së shtunës ndaj Skocisë përballja e sotme me Uellsin e Bale është për të ringritur kokën. Trajneri Christian Panucci nuk dorëzohet dhe në konferencën e djeshme ka thënë qartë se ka kontratë deri në vitin 2019-të dhe nuk e jep dorëhejqen duke ia pasuar topin Presidentit Duka.

Skuadra në Durrës ka zhvilluar dje seancën e fundit stërvitore dhe sot kërkohet një provë e madhe. Mavraj ka thënë që sot luhet edhe për trajnerin. Gjimshiti, Binaku dhe Ndoj nuk do jenë të gatshëm dhe formacioni do jetë i arnuar. Panucci ka disa dilema por në portë pritet të jetë Strakosha , në mbrojtje rikthehet Hysaj që mund të laujë edhe në të majtë ndërsa priten titullarë edhe Veseli, Mavraj dhe Ismajli. Kaçe , Basha dhe Xhaka do ta nisin nga minuta e parë në mesfushë dhe në mbështetje të Bekim Balajt do jenë Gavazaj dhe Grezda. Uellsi vjen me artileri të rëndë në Elbasan dhe yjet Gareth Bale dhe Aron Ramsey pritet të jenë titullarë.

Trajneri i britanikëve Giggs legjenda e Manchester United është i kënaqur me ecurinë e ekipit gjatë këtij viti kalendarik por thotë se do ta mbyllë me fitore. Interesimi i tifozëve ka qënë i pakët ndërsa pritet sërish një pushtim këtë herë nga tifozët e Uellsit. Në gjithë këtë situatë të tmerrshme që po kalon Kombëtarja ka edhe një zhvillim pozitiv. Shqipëria ruan nderin duke qëndruar edhe për edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve në Ligën C. Norvegjia duke mposhtur Qipron 2-0 ka bërë që qipriotët të jenë më poshtë se kuqezinjtë dhe Kombëtarja nuk zbret një Ligë më poshtë.

REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303