Sot në Bruksel konferenca e donatorëve, axhenda dhe pritshmeritë

Zhvillohet sot nga Bashkimi Evropian një konferencë donatorësh ndërkombëtarë, në Bruksel për të mbështetur përpjekjet e rindërtimit në Shqipëri pas tërmetit që goditi vendin në fund të nëntorit.

Konferenca është organizuar nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila u ka bërë thirrje të gjitha vendeve që të ndihmojnë Shqipërinë.

Në konferencën e sotme pritet të marrin pjesë vendet e BE, vendet e Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësues nga vende të tjera, si dhe nga organizatat ndërkombëtare dhe institucionet financiare ndërkombëtare, përfshirë OKB dhe Bankën Botërore.

Programin për Konferencën e Donatorëve që fillon nga ora 14:30 e zbuloi zëdhënësja e KE-së,  e cila është shprehur: “Presidentja e Komisionit Europian do të hapë konferencën së bashku me kryeministrin Edi Rama dhe presidentin e Këshillit Europian Charles Michel në 14:30. Komisioneri për Zgjerimin Olivér Várhelyi do të hapë dhe mbyllë sesionin e angazhimeve të donatorëve në këtë konferencë, ndërkohë që komisioneri Janez Lenarčič do të bëjë vlerësimin e nevojave lidhur me dëmet e tërmetit. Në përfundim të konferencës së donatorëve, presidentja Von der Leyen dhe kryeministri Edi Rama do të mbajnë një konferencë për shtyp”.