Sot rikthehet Premier Liga

Starton në mbrëmje, në “Anfield”, me takimin Liverpool – Norwich City, Premier League-a Angleze, kompeticioni me më shumë rivalitet, por gjithashtu edhe kampionati më i pasur në rruzull, duke patur parasysh që 9 nga 20 klubet më të kamura në glob i përkasin pikërisht kësaj lige. Bëhet fjalë për edicionin e 28-të të Premiershipit, që nga themelimi dhe ndryshimi rrënjësor që pësoi kampionati anglez në vitin e largët 1992.

Gjashtë janë klubet që kanë qenë gjithmonë pjesë përbërëse e Premier League-s: 3 skuadrat e Londrës Arsenali, Chelsea dhe Tottenhami, dy ekipet nga Merseyside, që përfaqësojnë të njëjtin qytet, Liverpooli dhe Evertoni, si dhe rekordmenët e futbollit anglez të Manchester United, që nuk e fitojnë titullin që nga sezoni 2012-13. 4 klube të ndryshme ia kanë dalë mbanë për të fituar në 7 edicionet e fundit, ku natyrisht spikat triumfi i paarritshëm i “Dhelprave” të Leicester City-t, sidoqoftë, pavarësisht rivalitetit të ashpër të kampionatit të kaluar, Manchester City mbetet përsëri ekipi favorit për të fituar trofeun.

Ashtu siç pritej 1.5 miliardë stërlinat e shpenzuara në 11 vjet nga Grupi Abu Dhabi ndryshuan hierarkinë e futbollit të këtij vendi dhe për rrjedhojë rezultatet nuk vonuan, teksa Pep Guardiola grumbulloi plot 198 pikë me “Citizens” në dy edicionet e fundit, në drejtimin e skuadrës absolutisht më të shtrenjtë në gjithë historinë e këtij sporti.