Sot Superkupa e Italisë, Milani sfidon Juventusin

Sot përcaktohet edhe fituesi i Superkupës së Italisë. Juventusi dhe Milani do të përballen në Arabinë Saudite për të ngritur trofeun e parë sezonal.

Skuadrat janë gati dhe kanë në dispozicion lojtarët më të mirë madje edhe vitin e kanë nisur me fitore në Kupën e Italisë. Trajneri i bardhezinjve Max Allegri kërkon të fitojë çdo gjë këtë sezon dhe thotë:

”22 pikët e diferencës në kampionat nuk do të thonë asgjë, për ne është një test i rëndësishëm në kuadër të 1/8 të Championsit dhe duhet të tregohemi të përulur”- e mbyll tekniku i Juves.

Sa i përket formacionit Ronaldo-Dybala do jenë në fushë ndërsa ka balotazh Mandzukic-Bernardeschi.

Tek Milani çdo gjë rrotullohet rreth Gonzalo Higuain dhe zërave të merkatos që e shohin larg kuqezinjve.

Megjithatë trajneri Gattusso në vigjilje të Superkupës sqaron se Higuain është stërvitur mirë dhe me 90% do të jetë titullar.

Numri një i pankinës së kuqezinjve kërkon sot në finalen e Superkupës që skuadra të jetë e vendosur dhe të luajë pa frikë ndaj një rivali më të fortë.

Milani do zbresë në fushë me skemën 4-3-3 ku titullar do jetë braziliani Paqueta ndërsa Juvja ndeshjen e parë për këtë sezon ndaj kuqezinjve e ka fituar në “San Siro” 2-0. (real-news.tv)