SPAK dhe Policia prangosin drejtorin e IKMT dhe pronarin e minierës në Dibër, u kapen mijëra euro dhe miliona lekë në shtëpi

1604051519_miniere.jpg

Drejtori i IKMT në Qarkun e Dibrës dhe pronari i një kompanie minerare po në këtë zonë, janë arrestuar nga Policia në kuadër të një operacioni në bashkëpunim me SPAK. Newsbomb.al mëson se në pranga kanë rënë Lutfi Miftari (drejtor i IKMT) dhe Elio Elezi (pronar i minierës).

Njësia për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar, në Drejtorinë Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë (SPAK), finalizuan me sukses operacionin policor “Bankomati”, si rezultat i të cilit u bë i mundur arrestimi në flagrancë i shtetasve:

  • Lutfi Miftari, 56 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë Drejtor i IKMT-së në qarkun e Dibrës.
  • Elio Elezi, 34 vjeç, banues në Tiranë, adminstrator i një kompanie që operon në fushën minerare në qarkun Dibër. Nga ajo që mëson newsbomb.al, del se Elio Elezi është pronar i kompanisë minierare “H4 CHROM”.

Arrestimi i këtyre personave u bë pasi shtetasi L.M,  në cilësinë e Drejtorit të IKMT, në Qarkun e Dibrës, ka abuzuar me detyrën duke marrë ryshfet nga shtetasi E. E, adminstratori i kompanisë , shumën prej 50.000 lekë të rinj, për të mos filluar procedurën për shkeljen e konstatuar tek ky subjekt nga grupi i kontrollit për mungesën e dokumentacionit, si lejen mjedisore e dokumente të tjera.

Në cilësinë e provës materiale shtetasit  L. M, iu sekuestruan 50.000 lekë të rinj të cilat ja kishte dhënë shtetasi E.E.

Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit L.M, policia gjeti dhe sekuestroi  në cilësinë e provës materiale 29.500 Euro, 1300 Dollarë dhe 896.000 lekë të rinj.

Materialet proçeduriale i kaluan Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, si të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303