Spartak Ngjela zbulon se kush e ka në dorë fatin e Ilir Metës

Avokati Spartak Ngjela, thotë se Komisioni Hetimor për shkarkimin e Presidentit ishte i detyruar të zgjaste me dy muaj punimet sepse duhet të presë raportin e Komisionit të Venecias.

Ngjela u shpreh se çfarë të thotë Venecia do të vendoset.

“Ka qenë i detyruar se mesa pashë arsyetimin, po pret vendimin e Venecias. Derisa i kërkuan mendim Komisionit të Venecias do të presin se çfarë thotë Venecia. Por kini parasysh se atë që thotë Venecia, ajo do të vendoset. Këtu kam qenë kur ju kam thënë se kanë bërë gabim, atë duhet ta bënte Gjykata Kushtetuese”, tha Ngjela.

Me 7 vota pro dhe 2 kundër, Komisioni Hetimor i ngritur për hetimin me qellim shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, miratoi paraditen e djeshme kërkesën për zgjatjen me dy muaj të punimeve. Kjo kërkesë tashmë do ti kalojë kuvendit, për miratim në seancën e datës 3 tetor.