Spektakli i radhës në “Air Albania”, Tirana e 9 fitoreve radhazi sfidohet nga Skënderbeu

Tirana-Skënderbeu, një ndër përballjet që më shumë emocione i ka dhënë 10-vjeçarit të fundit në Kategorinë Superiore. Betejat e dekadës që sapo përfundoi filluan me një Superkupë në Korçë, e cila u zgjidh me një gol të Bekim Balajt, një finale Kupe në Maj 2012 edhe ajo e vendosur nga një gol i Balës, që u dha triumfin bardhebluve, dhe një tjetër duel në finalen e Kupës u zhvillua në Maj 2017, ku Tirana fitoi trofeun më të trishtueshëm në histori pak ditë pasi ishte rrëzuar në greminën e Katëgorisë së Parë.

Megjithatë, në duelin e kampionëve të epokave me 24 tituj dhe kampionëve të 10-vjeçarit, në kampionat trofetë folën vetëm për bardhekuqtë me 7 tituj të fituar kundrejt 0 titujve të bardhebluve.

Këtë sezon, situata është e ndryshme, Tirana synon triumfin, Skënderbeu kërkon të evitojë fillimisht play-out-in dhe më pas çfarë e mirë të vijë le të vijë. Në këtë sezon ka baraspeshë të plotë, një fitore për kryeqytetasit (3-1  me golat e Ngoo, Halilit e Hoxhallarit),  kur në stol ishte Mema, ndërsa në takimin e dytë bardhekluqtë gjunjëzonin ekipin që drejtohej nga Ahmataj (2-1 falë realizimeve të Blerim Kransiqit e Ndecky). Në ndeshje e 3-të kundër Tiranë këtë sezon ish-trajneri i bardhebluve Daja do të ketë përballë trajnerin numër 3 të kryeqytetasve, Egbonë, i cili mori drejtimin pa Memës e Ahmatajt. Tirana po kalon një periudhë të bekuar: 9 fitore radhazi mes kampionatit e Kupës, diçka që prej shumë kohësh nuk përjetohej tek 24 herë kampionët. Egbo ende nuk ka provuar barazimin e jo më humbjen.

Tekniku nigerian nuk do të ndryshojë asgjë në krahasim me sfidën e fituar kundër Vllaznisë, me emra tillë si Cale, Torasa e Ngoo në fazën sulmuese. Ndërkohë Skënderbeu vjen nga ai barazim ndaj Bylisit. Lajmi i mirë është riaftësimi i Bregut, që do të jetë në fushë, ndërsa ka ende dilema për praninë ose jo të Blerim Krasniqit.

Në fushë do të jenë sulmi më i mirë i Superiores (i Tiranës) dhe mbrojtja e 3-të më e dobët. Më keq se Skënderbeu kanë bërë vetëm Luftëtari e Flamurtari. Do të jetë një duel emocionues, që do të zhvillohet në impiantin modern “Air Albania”. Ai që do të ketë mundësinë ta përjetojë nga pranë, do ta përjetojë në vetë të parë.