“Srpska”: Aksioni i sotëm në Veri, për të mbuluar dështimin në INTERPOL

“Lista Serbe” e Goran Rakiqit ka reaguar pas aksionit të sotëm të Policisë së Republikës së Kosovës në veri të vendit për arrestimin e disa zyrtarëve policorë të cilët dyshohet se kanë fshehur provat rreth rastit të vrasjes së Oliver Ivnaoviqit dhe për krim të organizuar, shkruan Gazeta Express.

Nga ky aksion janë arrestuar dy persona, ndërsa i treti është në kërim.

Sipas “Srpskas” ky aksion i sotëm i Policisë së Kosovës po bëhet për të larguar vëmendjen nga dështimi i serishëm i Kosovës për të arritur anëtarësimin ne INTERPOL.

Nga kjo parti thonë se liderët politik në Kosovë po mundohen që dështimet e tyre t’i mbulojnë duke ndjekur e arrestuar “qytetarë të pafajshëm pa kurrfarë provash”.

Në komunikatën e lëshuar në gjuhën serbe kjo parti përmend edhe faktin se bashkësia ndërkombëtare po hesht.

“Në kërkojmë që personat e arrestuar padrejtësisht të lirohen menjëherë. Përgjegjësia për paqenë në këtë rajon dhe kujdesi për sigurinë e qytetarëve u takon, UNMIK-ut, KFOR-it dhe EULEX-it”, thuhet në komunikatë.

“Lista Serbe” që drejtohet nga Goran Rakiq është një parti e cila vepron nën direktivat e Beogradit zyrtar. Në Serbi ndërkohë është duke u strehuar një prej të dyshuarve rreth rastit të vrasjes së Oliver Ivanoviqit, Milan Radojicic.