“Srpska” i përgjigjet Vetëvendosjes për kërkesën e njohjes së shtetit të Kosovës

SLS-Lista-600x358.jpg

“Srpska” e Goran Rakiqit i është kundërpërgjigjur nënkryetarit të Vetëvendosjes, Besnik Bislimit, rreth asaj se do të pranohet kjo parti në qeveri vetëm në rast se e dëshmon që e pranon Republikën e Kosovës si shtet, shkruan Gazeta Express.

Në një komunikatë për media nga kjo parti thonë se nuk janë zgjedhur deputetë për t’i plotësuar dëshirat e liderëve politikë shqiptarë.

“Lista Serbe është një parti që përpiqet për interesat e popullit serb dhe jo për t’iu bërë favore dhe për plotësuar kënaqësitë e liderëve të tyre politike. Për këtë gjë ata e kanë Rashiqin, Petroviqin dhe Rada Trajkoviqin dhe të ngjashëm, të cilëve populli serb qartë dhe zëshëm iu ka treguar se çfarë mendon për ta, duke iu dhënë mbështetje me promila”, thuhet në këtë reagim të “Srpskas”.

Ndër të tjera thonë që është paradoksale që Lëvizja Vetëvendosje nuk respekton Kushtetuën e Kosovës por edhe obligimet që Prishtina ka ndaj popullit serb, duke përmendur këtu edhe marrëveshjen e Brukselit.

Në fund kanë thënë se do t’i japin disa këshilla politike falas bashkëpartiakeve të Kurtit që të mos humbin kohë duke sulmuar serbët.

Kreu i VV’së, Albin Kurti, në mënyrë të përsëritur ka thënë se nuk do të bëjë kurrfarë koalicioni me Listën Serbe dhe madje ka thënë se do të bëjë përpjekje për të mos i përfshirë fare në qeveri.

Lista Serbe në zgjedhjet e 6 tetorit ka fituar 10 deputetë, ndërsa ka pasur shumë ankesa se qytetarët serbë kanë votuar të nënshtruar ndaj presionit të Beogradit dhe kërcënimeve nga atje.

scroll to top