Stoltenberg: NATO po shqyrton angazhimin me ushtrinë e Kosovës

Në një bisedë telefonike, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i ka thënë kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj se derisa mandati i Forcës së Sigurisë po ndryshon, Këshilli Atlantik do të rishqyrtojë shkallën e angazhimit me këtë forcë në vitin që po vjen.

Stoltenberg po ashtu ka përsëritur qëndrimin se NATO do të vazhdojë misionin e KFOR-it për të garantuar mjedis të sigurt në Kosovë. “KFOR-i funksionon nën mandatin e Kombeve të Bashkuara dhe nuk do të preket nga ligjet për ushtrinë”, i ka thënë ai kryeministrit Haradinaj, thuhet në një komunikatë të lëshuar zyra e sekretarit Stoltenberg.

Ndërsa kryeministri Hardainaj e cilësoi miqësore bisedën më sekretarin Stoltenberg dhe u shpreh i kënaqur me përkushtimin e NATO-s për të mbështetur Kosovën në tërësi.

“E garantova sekretarin Stoltenberg për transparencën e procesit të tranzicionit të FSK-së, duke shprehur vizionin tim dhe të Qeverisë për thellimin e partneritetit me NATO-n, KFOR-in, NALT-in, Programin e Ndërveprimit të Zgjeruar dhe për gatishmërinë e trupave të FSK-së për kontribut në sigurinë rajonale dhe globale”, shkroi kryeministri Haradinaj.

Më 14 dhjetor parlamenti i Kosovës miratoi ligjet që shndërrojnë Forcën e Sigurisë në ushtri, një vendim që u mbështet nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa nxiti reagim kundërshtues të NATO-s dhe Bashkimit Europian, që vlerësuan se nuk është koha e përshtatshme për një gjë të tillë. /real-news.tv/

Lër një koment