Stresi në grup kriminal, arrestohet në hotel me 20-vjeçaren

Këngëtari i muzikës Rap, Arkimed Lushaj, i njohur nga të gjithë me emrin e skenës “Stresi”, u arrestua mbrëmjen e së mërkurës nga Policia, pas hetimeve disa mujore që e vënë atë nën akuzë për trafik të lëndëve narkotike dhe krimeve kundër personit.

Këtë të enjte, policia publikoi videon gjatë momentit të arrestimit të Stresit, si pjesë e një grupi kriminal që operon në Tiranë.

Ai ndodhej në dhomën e një hoteli, nën shoqërinë e një vajze 20-vjeçare. Policia i ka hyrë befasisht në dhomën e hotelit, duke e arrestuar teksa ai ishte i shtrirë në krevat.

Arkimed Lushaj u vu në pranga në sajë të operacionit “Forca e Ligjit” për goditjen e grupeve kriminale.

Arkimed Lushaj, 31 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë u arrestua me vendim gjykate, e cila po ditën e djeshme, më 17 tetor, kishte caktuar masën e sigurisë arrest me burg në lidhje me veprën penale  “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake”.

Ndalimi i tij u bë pas një hetimi disa mujor në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë me metoda speciale të hetimit që janë kryer në funksion të një grupi kriminal që operon në Tiranë në lidhje me aktivitetin e kundraligjshëm me tendencë “Trafikim narkotikësh” dhe  “Krimeve kundër personit” .

Në dhomën e hotelit të ndodhur në Liznë, gjatë kontrollit të ushtruar, Stresit i janë gjetur një sasi e vogël lënde narkotike, një armë zjarri pistoletë e tipit “Pjetro Beretta”, si dhe 12 fishekë të modelit 7.65 mm. Lidhur me materialet e sekuestruara në hotel, nisi edhe procedimi penal në gjendje të lirë ndaj vajzës që shoqërohej me Stresin, për veprën penale “Moskallzimit të krimit”. Ajo është P. Ç., 20 vjeçe,  banuese në Tiranë.

Lër një koment