Studim/ Zemërimi dëmton shëndetin

Ndjenjat kanë një ndikim të madh në mirëqënien mendore të të gjithëve, por ndjenja e zemërimit sjell probleme dhe në shëndetin fizik.

Nga një studim i studiuesve të Shoqatës së Psikologëve Amerikane, , zemërimi mund të jetë më i dëmshëm për shëndetin fizik të të moshuarve.

Është konstatuar se ndjenja e inatit, mund të rimodulojë reagimin e sistemit imunitar, duke rritur inflamacionin, që lidhet me zhvillimin e sëmundjeve kronike, siç janë sëmundjet e zemrës, artritet dhe tumoret.

Për të kuptuar se si zemërimi dhe trishtimi, mund të ndikojnë tek inflamacioni, ose reagimi i sistemit imunitar ndaj kërcënimeve të tilla, si infeksioni ose dëmtimi i indeve, shoqata ekzaminoi të dhënat nga 226 njerëz të moshës 59-93 vjeç në Montreal të Kanadasë. Më pas, ata i ndanë në dy grupe: ata me moshë më të vjetër (80 vjeç e lart), dhe më të rinj, midis 59 dhe 79 vjeç.

Për më shumë se një javë, pjesëmarrësit në studim, plotësuan disa pyetësorë të shkurtër rreth asaj se sa të zemëruar apo të trishtuar e ndjenin veten. Ndërkohë, hulumtuesit matën nivele të ndryshme të inflamacionit përmes mostrave të gjakut, dhe pastaj u kërkuan pjesëmarrësve të raportonin nëse kishin sëmundje kronike që lidheshin me moshën.

Nga analizat, studiuesit zbuluan se pjesëmarrësit që kishin raportuar çdo ditë ndjenja të zemërimit, kishin gjithashtu nivele më të larta të inflamacionit dhe sëmundjeve kronike. Por, kjo nuk ishte e vlefshme për të gjithë pjesëmarrësit.

“Ne kemi zbuluar se përjetimi çdo ditë i ndjenjës së zemërimit, është i lidhur me nivele më të larta të inflamacionit dhe sëmundjeve kronike për njerëzit e moshës 80 vjeç e lart, por jo për njerëzit më pak të moshuar”- shprehet bashkëautori i studimit, Karsten Urosh, nga Universiteti Kondkordia. /real-news.tv/