Stuhi në Teksas, humbin jetën dy fëmijë

Teksasi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është goditur nga një stuhi e fuqishme të shtunën. Rrëzimi i një druri mbi një makinë ka lënë të vdekur dy fëmijë, të moshës 3 dhe 8 vjeçare.

Sipas Shërbimit Kombëtar të Motit, Teksasi pritet të goditet nga tornadoja me shpejtësi deri 225 kilometra në orë, që do të thotë se stuhia do të kategorizohet si stuhi e nivelit të tretë.

Është raportuar se disa persona janë lënduar në Franklin.  Dëme kanë pësuar edhe çatitë e shtëpive, shumë prej të cilave janë hedhur në tokë nga era.

Qytetet Franklin dhe Bremond kanë mbetur pa energji elektrike. Stuhia pritet të shkaktojë dëme edhe në pjesën tjetër juglindore të Shteteve të Bashkuara dhe në Ohio.

Eksperti i meteorologjisë, Chad Myers, tha se ajri i ngrohtë ka ndikuar në prishjen e stabilitetit të atmosferës, duke krijuar kështu kushte për stuhi dhe forcim të intensitetit të tyre. Ai shtoi se ekziston rreziku që kjo stuhi të shkaktojë edhe më shumë dëme materiale dhe ta rrezikojë jetën e njerëzve.

Pritet që stuhia të dielën në mëngjes të arrijë në Alabama dhe Georgia./real-news.tv/