Sulmi ajror i Iranit, 34 ushtarë amerikanë me dëmtime në tru

Të paktën 34 ushtarë amerikanë janë diagnostikuar me pasoja traumatike në tru pas një sulmi nga iranianët në bazën e tyre në Irak, ka njoftuar Pentagoni.

17 ushtarë janë ende nën mbikëqyrje mjekësore, deklaruan autoritetet.

Pentagoni kishte deklaruar se asnjë ushtar nuk ishte vrarë gjatë sulmit ajror të Iranit në bazën Ain al-Asad.

Zëdhënësi i Departmentit të Mbrojtjes, Jonathan Hoffman, u tha gazetarëve të premten se tetë nga të prekurit ishin dërguar në SHBA për trajtim të plotë derisa nëntë tjerë janë duke u trajtuar në Gjermani.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, më herët kishte thënë se asnjë anëtar i trupave amerikane nuk ishte lënduar nga sulmi i 8 janarit që erdhi pas vrasjes së gjeneralit iranian Qassem Soleimani nga SHBA.

I pyetur për zhvillimet e fundit, gjatë Forumit Botëror Ekonomik në Davos, Trump u përgjigj “Kam dëgjuar se kanë disa kokëdhembje, por mund të them se nuk është aq serioze”.

“Nuk i konsideroj si pasoja serioze duke u bazuar në ato se cfarë kam parë më herët”, shtoi ai.