fbpx

‘Sulmi ndaj qendrës shëndetësore ka pasur motiv politik’/ PD: Lojë politike për të krijuar një histori të rremë kundër Bashës

Akuzat e socialistëve se sulmi ndaj qendrës shëndetësore në Elbasan ka pasur motivim politik, demokratët e quajnë një lojë politike me jetën e shqiptarëve. Nga selia blu është numri 2 i PD-së, Gazment Bardhi i cili i ka kthyer përgjigje Taulant Ballës.

Sipas Bardhit, sulmi i qendrës shëndetësore është një histori e rremë për të hequr vëmendjen nga problemi i vërtetë siç ai e quan, që është fshehja e viktimave të COVID-19 nga qeveria. Ai i ka ribërë thirrje Prokurorisë që të nis hetimet.

“Edhe një herë Rama vazhdon të luajë politikisht me jetën e shqiptarëve. Ai dërgoi Taulant Ballën për të krijuar një histori të re të rreme për të sulmuar Lulzim Bashën, sepse ende nuk ka një përgjigje për fshehjen e numrit të vdekjeve të shkaktuara nga pandemia. Edi Rama vetëm po përpiqet të largojë vëmendjen e qytetarëve nga vonesa e pajustifikuar në zbardhjen e së vërtetës. Ne përsërisim thirrjen ndaj prokurorisë të nisë hetimet për fshehjen dhe manipulimin e të dhënave për numrin e të vdekurve nga covid19. Kjo nuk është një çështje politike, por është një çështje thelbësore për të gjithë shqiptarët. Populli shqiptar e ka aftësinë të mos bjerë pre e manipulimeve të Edi Ramës”, shkruan Bardhi.