Sulmohet patrulla amerikane në Siri, 16 të vdekur

Një shpërthim ka ndodhur në rajonin sirian të Munbixhit të okupuar nga organizata terroriste YPG/PKK, gjatë kohës kur ushtarët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) po kryenin patrullë, njoftuan burimet lokale, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas burimeve, shpërthimi ka ndodhur për arsye ende të paditura, ndërsa si pasojë janë vrarë 4 ushtarë amerikanë dhe janë plagosur tre ushtarë amerikanë të cilët po kryenin aktivitetin e patrullimit, të cilët më pas janë evakuuar me helikopterë të ushtrisë amerikane.

Media kurde raportoi se përveç ushtarëve amerikane, një ushtar kurd dhe 11 civilë kanë mbetur  gjithashtu të vrarë nga shpërthimi.

Grupi xhihadist i Shtetit Islamik (IS) tha se një nga anëtarët e tij kishte shpërthyer një jelek shpërthyes pranë një patrulle.

Muajin e kaluar, Presidenti Donald Trump njoftoi se SHBA do të fillojë të tërheqë të gjitha 2,000 trupat e saj nga Siria, sepse sipas tij IS është “mundur”.

Vendimi i papritur shokoi aleatët e tij dhe tërhoqi kritika nga ligjvënësit amerikanë. Sekretari i Mbrojtjes James Mattis dhe disa zyrtarë të tjerë të lartë më pas dhanë dorëheqjen.

Kundërshtarët e tërheqjes paralajmëruan se Manbixhi dhe qytete të tjera pranë kufirit me Turqinë mund të sulmohen nga ushtria turke, e cila ka kërcënuar të pushtojë për t’i pastruar ato nga milicia e Mbrojtjes Popullore të Popullit Kurd (YPG).

Qeveria turke e konsideron YPG një zgjatje të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), e cila ka luftuar për autonominë kurde në Turqi për tre dekada. Megjithatë, ajo mohon çdo lidhje direkte organizative me grupin./real-news.tv/