fbpx

Sunny Hill do mbahet në Parkun e Gërmisë, aktivistët kërkojnë anulimin e vendimit, ja çfarë pritet të ndodhë

parku-i-germise8.png

Aktivistët kërkojnë anulimin e vendimit të Komunës së Prishtinës që lejon mbajtjen e festivalit Sunny Hill në Parkun e Gërmisë, mbi arsyetimin se e dëmton mjedisin.
Në ankesën drejtuar kryetari të Prishtinës dhe Drejtorisë së Parqeve thonë se vendimi përbën shkelje ligjore, saktësisht Ligjit për mbrojtjen e Natyrës. “Ne si organizatë që e monitorojmë Drejtorinë e Parqeve nuk kemi hasur në ndonjë debat publik apo thirrje për pjesëmarrje në vendim. Kjo konsiderohet shkelje ligjore”, sqarohet në kërkesën e tyre. Ndërkohë që thonë që këtë e bazojnë në dëmet e viteve të kaluara.

“Degradimin e biodiversitetit dhe mjedisit nga shfrytëzimi i festivalit e tregojnë faktet nga vitet e kaluara i keni parë te gjitha dhe kur faktet ekzistojnë dhe merrni një vendim të tillë atëherë kemi të bëjmë me kodin penal kapitulli XXVII-veprat penale kundër mjedisit, kafshëve, bimëve dhe objekteve kulturore. Neni 338-Ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit”, arsyeton OJQ Qytetarë Aktivë.

Festivali i muzikës Sunny Hill pritet të mbahet në fillim të muajit gusht në Parkun e Gërmisë në Prishtinë. Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka bërë me dije se janë siguruar lejet e nevojshme për mbajtjen e festivalit në këtë park më 4, 5, 6 dhe 7 gusht 2022.

Ai ka shtuar se Sunny Hill Festival është zotuar se e gjithë hapësira e parkut që do të merret në shfrytëzim do të përdoret me kujdes të shtuar, dhe se pastrimi dhe rigjenerimi i parkut “do të bëhet në afat rekord, edhe me investimet e nevojshme nga ana e Sunny Hill Festival”.

Një edicion i veçantë me këngëtarë tjerë do të mbahet në Tiranë më 26,27 dhe 28 gusht. Festivali është themeluar nga Fondacioni Sunny Hill, i këngëtares me famë botërore, Dua Lipa dhe edicioni i parë është mbajtur më 2018.

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303