Superliga ul siparin, ja renditja përfundimtare

Superliga shqiptare ka ulur siparin e sezonit 2018/2019, duke dhënë edhe verdiktet e fundit që I përkisnin garës për mbijetesë dhe zonës së Evropës. Ka marrë fund ankthi te Tirana, e cila siguroi qëndrimin në elitën e futbollit shqiptar, pas një edicioni me të vërtetë zhgënjyes në kampionat. Në sfidën e fundit të luajtur në kryeqytet, skuadra e drejtuar nga Ardian mema mundi 3-0 Flamurtarin. Gjithçka u vendos në pjesën e dytë. Në Kategorinë e Parë zbret Kastrioti. Krutanët shpresuan për pak kohë, kur mbyllën në epërsi transfertën kundër Kukësit me golin e shënuar nga Ymeraj. Por me rikthimin në fushë pas pushimit, kur mësuan edhe për avantazhin e Tiranës në kryeqytet, u dorëzuan, duke i lejuar vendasve të përmbysin shifrat. Me këtë sukses, verilindorët duhet të kënaqen me vendin e dytë dhe të shpresojnë të shpëtojnë sezonin me fitimin e trofeut të Kupës. Në mënyrën më të mirë mbyll sezonin Teuta. Durrsakët mundën 2-0 Laçin për të blinduar vendin e tretë në Superligë, që do të thotë edhe një vend në Ligën e Europës edicionin e ardhshëm. Golat për formacionin e Bledi Shkëmbit u shënuan në shtesë me Kallakun nga pika e penalltisë dhe Kamara. Me titullin kampion të siguruar dhe të festuar javën e shkuar, Partizani mbyll sezonin me barazimin 1-1 në transfertën e Luftëtarit, që kishte galë prej kohësh nga lufta e mbijetesës.