fbpx

“Supozohet për më shumë viktima”, flet shqiptari që jetoi në Beirut: Tmerri po ndodh në spitale…

Drejtori i Institutit Nacional Demokratik për Lindjen e Mesme, Arianit Shehu ka reaguar për shpërthimin e fuqishëm në kryeqytetin e Libanit. Ai ka thënë për Klan Kosova se shkak i këtij shpërthimi ka qenë nitrat amonium, që ndodhej në depon e portit të Beirutit.

“Sipas informatave të para, duket që shpërthimi ka ndodhur pas një zjarri në depon e materialeve të rrezikshme, por jo eksplozivë, në depon e portit të Beirutit. Raportet fillestare theksojnë se shkak i këtij shpërthimi ka qenë nitrat amoniumi, i cili ka qenë i deponuar aty. Deri tani është raportuar për më shumë se 75 të vdekur dhe rreth 7,000 të lënduar, por supozohet për shumë më shumë viktima”.

Më tej, Sehu tregon edhe për gjendjen e spitaleve pas shpërthimit të fuqishëm, ku janë shënuar shumë viktima.

“Të gjitha spitalet e Beirutit janë stërmbushur me të lënduar të shpërthimit. Gjithçka në radius prej 2 kilometrave është shkatërruar, dëmtime të rënda janë raportuar në radius prej 12 kilometrave dhe dëme të tjera. Thyerje të xhamave janë raportuar në radius prej 22 kilometrave”.

“Jam i tmerruar sot me shpërthimin në depon e portit të Beirutit. I lutem Zotit sot për popullin stoik të Libanit dhe qytetarëve të Beirutit, si dhe për miqtë dhe kolegët e shumtë të mi atje. Beiruti ka qenë shtëpia ime dhe për të gjithë që kanë jetuar aty, Beiruti gjithmonë do të mbetet qyteti më i veçantë dhe më i bukur në botë”.